25 shkurt 2015 –  Aktorja italiane Ornella Mutti është dënuar me 8 muaj burg dhe 600 euro gjobë, nga një gjykatë italiane me akuzën e mashtrimit. Gjykatësja Patrizia Botteri e shpalli aktoren simpatike fajtore, për një mashtrim që ajo kishte bërë rreth 4.5 vite më parë. Me 10 dhjetor 2010, aktorja duhej të merrte pjesë në një aktivitet artistik që zhvillohej në Teatrin Verdi, në Pordenone.

Për të shmangur takimin, ajo paraqiti një raport mjekësor, duke u justifikuar se kishte probleme me fytin dhe nuk mund të fliste. Në të njëjtën ditë, aktorja ishte në Shën Petërburg në Rusi me Vladimir Putin dhe aktorin Kevin Costner në një darkë bamirësie. Tashmë Ornella duhet të kryejë 8 muaj burg, ose të paguajë 30 mijë euro për dëmet e imazhit që u ka bërë organizatorëve të festivalit në Pordenone. Gjykata është shprehur se Mutti mund të shmangë burgun duke paguar para në këste të ndryshme.