25 shkurt 2015 –  Karabinierët e Padovës për 24 orë rresht organizuan një operacion antikrim me pjesëmarrjen e 177 forcave dhe 88 automjeteve. Një lloj si në gjuetinë e peshkut me rrjeta pellagjike, ky operacion kapi çfarëdolloj shkelës të ligjit, që ndeshi.

Në pranga përfunduan hajdutë e drogaxhinj të vegjël, persona në kërkim për krime të ndryshme, persona që kishin thyer masën e sigurisë arrest shtëpie si edhe të tjerë, që kishin thyer dekretet e dëbimit nga Italia. Bledar Malaj, 28 vjeç ra në “rrjetën” e karabinierëve. Ai ishte dëbuar nga Italia për disa vepra penale të kryera më parë. Bledari kishte thyer dekret dëbimin dhe kishte hyrë në Itali ilegalisht.

Tashmë, atij i duhet të vuajë në burg për kalim të paligjshëm kufiri dhe shkelje të dekret-dëbimit të mëparshëm. 

Në këtë operacion antikrim u arrestua edhe Alfred Begeja, 42 vjeç banues në Angli, por aktualisht në territor italian. Ai u arrestua, sepse ishte dënuar me 6 muaj burg për kundërshtim e goditje të personit zyrtar për shkak të detyrës.

/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/