DURRËS, 24 shkurt 2015 –  Ilir Biturkun, humbja ndaj Partizani nuk është as çudi dhe as tragjedi duke qenë se Partizani ka një ekip më cilësor dhe është pretendent: “Mendoj që të zhgënjyer duhet të ishim pas ndeshjes me Elbasanin, pasi në këto situata që ndodhemi ata janë konkurrentët tanë direkt. Ndërsa të humbash ndaj Partizanit, nuk është ndonjë çudi e madhe. Sa i përket ndeshjes unë mendoj që përveç 10 minutave të para që Partizani kishte epërsisë dhe shënoi dy gola, ne kemi reaguar mirë dhe kemi qenë gjatë gjithë kohës në garë. Kemi bërë një ndeshje të luftuar, por në të tilla gara presioni psikologjik dhe kur pëson dy gola të shpejtë është e vështirë që të kthesh situatën. Kemi shënuar një gol dhe në pjesën e dytë kemi reaguar, por ndeshja është luajtur në mesfushë dhe ka pasur shumë pak raste nga të dy ekipet. Nuk arritëm të merrnim një pikë përpara një Partizani që ka të tjera objektiva dhe një skuadër më cilësore se Teuta”, ka thënë drejtuesit i durrsakëve. Ai mendon se 11-metërshi i Partizanit mund të ishte evituar. 

“Normalisht që pas penalltisë fitorja për Partizanin ka qenë më e lehtë. Megjithatë unë mendoj se janë situata që vetë lojtarët duhet t’i menaxhojnë. Nuk kishte pse ndërhyrja e 11-metërshit të Partizanit të bëhej dhe ne të ndëshkoheshim. Lojtari ynë duhet ta ruante kundërshtarin. Megjithatë kjo ndeshje ka përfunduar dhe nuk kemi pse i rikthehemi”, ka vazhduar Biturku, i cili ka folur edhe për objektivin e ekipit të tij. “Normalisht që duhet të dalim nga kjo situatë dhe të arrijmë objektivin për mbijetesën në Superiore. Edhe Elbasani ka humbur dhe kjo do të thotë që jemi në të njëjtat pozita”, ka mbyllur Biturku.