DURRËS, 24 shkurt 2015 – Drejtoria e policisë e qarkut të Durrësit njofton se të hënën, më 23 shkurt 2015, filloi procedimi penal në mungesë për Ahmet Muçajn, 67 vjeç, banues në Tiranë, pronar i universitetit privat “Kristal” dhe administrator i firmës së pezulluar “Spitali Universitar Kristal” shpk, parcela nr. 20/6, Rinas Krujë. Blutë thonë se, rreth orës 13.00, nga kontrolli i ushtruar në këtë subjekt privat, u konstatua se furnizohej me energji elektrike me linjë të dytë në mënyrë të paligjshme. U bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.
Muçaj është qytetar nderi i Përmetit dhe Çorovodës (në këtë të fundit titullin ia dorëzoi, më 22 qershor 2014, ministri i Drejtësisë Nasip Naço, në foto, dhe shih linkun: http://www.yourepeat.com/watch/?v=xSzS_rdjSlg).
Sfondi / “Spitali Universitar Kristal” shpk
Administratori: Ahmet Muçaj. Data e themelimit: 04/03/2010. Zyra qendrore e shoqërisë në Shqipëri: Qarku Durrës, rrethi Krujë, komuna Nikël fshati Rinas, parcela nr. 20/6. Objekti i aktivitetit: Spital, vizita të mjekut të përgjithshëm dhe specialistit. Shërbim urgjence. Shërbim mjekësor në familje. Ndërhyrje kirurgjikale, të përgjithshme dhe specifike. Shërbim reaminacioni, shtrim mjekim, qëndrim dhe shërbim ditor të pacientëve. Diagnostikime të të gjitha sëmundjeve. Laborator analizash mjekësore. Klinikë dhe laborator dentar. Shërbime e punime stomatologjike dhe laboratorike, si terapi ortodonsi, ortopedi, kirurgji, grafi, përgatitje urash porcelani dhe proteza të ndryshme, implante etj. Riparime të aparaturave mjekësore. Import-eksport, tregti me shumicë e pakicë e materialeve dhe pajisjeve mjekësore. Pushimi i përkohshëm i aktivitetit nga data 8 janar 2014 deri pa afat. Statusi i subjektit ishte “aktiv” u bë “pezulluar”. (Burimi: QKR).
Arben Duka dhe Adi Hila, këngë për pronarin e "Kristal"
TIRANE – Për presidentin e universitetit “Kristal”, Ahmet Muça, janë krijuar edhe balada. Madje jo vetëm kaq, por autori i tekstit, Arben Duka, nuk ka ngurruar që pronarin e “Kristal” ta krahasojë me rilindësit e shquar shqiptarë, Naim dhe Sami Frashëri.
Kënga mban titullin “Kristal”, dhe këndohet nga Ylli Baka, ndërsa muzika mban firmën e kompozitorit të njohur të shumë këngëve të njohura të muzikës sonë, Adi Hila. Në videon që e shoqëron, që sigurisht ilustrohet me pamje të këtij universiteti privat, thuhet se kjo këngë i kushtohet universitetit “Kristal” dhe themeluesit të tij, Ahmet Muça. Kënga është publikuar në publikuar në “Youtube” më 15 nëntor 2011 [nuk është më e disponueshme, nuk dihet pse – “Dyrrah”-u].
Se sa e frymëzuar është kjo baladë kushtuar Metit të “Kristal”, mjafton të lexoni tekstin e këngës:
Nga behari në behar
Lule plot çel pranvera
“Kristali” lulja e parë
Lindi mbi lule të tjera
Zemërmadhi porsi deti
Me “Kristalin” kudo ndriu
Ahmet Muça nga Përmeti
Si Naimi dhe Samiu
Vitet vijnë, vitet ikin
Jeta hapin s’do ta ndali
Kush do dritën, diturinë
Kanë zemrën te “Kristali” (Burimi: ek/im/shqiptarja.com)
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





