U soll “kartëpostale” nga Britania e Madhe, ku fshihej prej 18 vjetësh

DURRËS, 24 shkurt 2015 –  Viti i mbrapsht 1997 risjell tmerret e SHIK-ut: një punonjës i shtetit i shërbimit sekret vrau për qejf një punonjës shteti, polic i Tiranës. Por tani ish-shikasit do t’i duhet të paguajë dënimin me burgimin të përjetshëm, pasi u soll “kartëpostale” nga Britania e Madhe, ku fshihej prej 18 vjetësh. 

Drejtoria e policisë e qarkut të Durrës-Krujës njofton se të hënën, më 23 shkurt 2015, në mjediset e burgut 302 Tiranë, u ndalua shtetasi në kërkim ndërkombëtar, 49-vjeçari Hektor Voci, banues në Tiranë. Voci u ekstradua, më 20 shkurt 2015, nga Britania e Madhe, si rezultat i bashkëpunimit të zyrave të Interpolit të Tiranës dhe Mançesterit. Organet e rendit thonë se gjykata e shkallës së parë Krujë, më 23 maj 2000, e ka dënuar efektivin e ish-“Shërbimit Informativ Kombëtar”, sot Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), Hektor Voci, me burgim të përjetshëm. Ai u akuzua për veprën penale të vrasjes me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, teksa më 10 shkurt 1997 ekzekutoi me gjakftohtësi një polic të Tiranës në fshatin Tapizë (komuna Nikël) të Krujës.

Sfondi

18 vjet më parë, më 10 shkurt 1997, Hektor Voci, në atë kohë 31 vjeç, efektiv i famëkeqit SHIK, po udhëtonte me një “Benz”, ku ka qenë pasagjer. Në segmentin Tiranë – Fushë-Krujë, makina që drejtohej nga B. XH., ka parakaluar në mënyrë të gabuar duke rrezikuar ta rrëzonte në kanal automjetin qe drejtohej nga një punonjës policie me inicialet A. C. i komisariatit nr. 4 Tiranë. Uniforma blu i ka ndjekur me makinë dhe i ka ndaluar pranë fshatit Tapizë (komuna e Niklës), ku me pistoletën në dorë, me tytën drejtuar poshtë, i është afruar makinës duke u prezantuar si punonjës policie. Ndërkohë B. XH.-ja ka dalë nga makina dhe i ka drejtuar dorën në mënyrë fyese, duke i thënë që ishin punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar. A. C.-ja ka dalë përpara makinës, ku takohet me Hektor Vocin, i cili mbante në dorë një kallashnikov, që kishte marrë për kryerjen e shërbimit. Hektor Voci ka qëlluar me breshëri ndaj A. C.-së, duke e lënë të vdekur në vend.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/