‘’Klea Ndoci, vajza ime e dytë, është pjesë e ’The voice of America’. Ajo ka kaluar në raundin e tretë, d.m.th. është e përzgjedhur për të vazhduar më tej artin e fisit tonë, mbështetja juaj është shumë domethënëse dhe kurajuese për të, sepse për shumë vite iu ndalua e drejta për të qenë pranë meje, që nga 1997! Ajo është vërtet e mirë në cilësi artistike dhe në shpirt, sepse ka gjak artistësh dhe meriton më shumë. Zoti vonon por nuk harron, e unë me kokën ngritur nga qielli e sytë e mbushur me lot them faleminderit’’.
23 shkurt 2015 – Ka qenë ky njoftim nga ana e Frederik Ndocit në faqen e tij zytare në facebook, për të dhënë lajmin se e bija e tij ka filluar karrierën artistike në një treg ku konkurrenca është shumë e madhe, por duke parë faktin se gara muzikore që do marrë pjesë Klea, ka një rëndësi të madhe, konkurrimi e ndoshta edhe triumfi i Kleas do të jetë një sukses dhe afirmim shumë i madh i saj në tregun amerikan, si një karrem për t’u bërë këngëtare atje.
Vite më parë, Klea u bë protagoniste në ekranin amerikan me një histori shumë të dhimbshme. Ajo demonstronte abuzimin me drogën si një profesioniste e thekur. Amerikanët ndoqën me zë e figurë se si shqiptarja fatkeqe, që pas ndarjes së dy prindërve, babait këngëtar Frederik dhe nënës së saj Dëshira, kishte gjetur shpëtimin te droga. Klea Ndoci, vajza 19-vjeçare e këngëtarit Frederik Ndoci, kishte vendosur ta bënte publik abuzimin e saj me drogën që prej moshës 14-vjeçare në programin “Addicted”, që u transmetua në ekranin e TLC-së, televizioni më i ndjekur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Videot, ku vajza merr drogë, u klikuan me mijëra herë në YouTube, në faqen online të kanalit TLC dhe në “Discover Health”.
Klea, e cila jeton në Kaliforni me nënën Dëshira dhe motrën e madhe Flodia, është me profesion këngëtare. Ajo u shfaq në programin “Addicted”, i ideuar për të rrëfyer histori të varësisë së personave të ndryshëm nga droga. Por tani, pas shumë vitesh, siç duket vajza e Frederik Ndocit ka ndryshuar rrugë. Ajo është martuar me një amerikan dhe ka vendosur të shpërthejë në industrinë muzikore amerikane si asnjëherë më parë.





