23 shkurt 2015 –  Konsumimi i frutave dhe perimeve përbën bazën e një diete të shëndetshme. Një dietë e ekuilibruar, e përqendruar tek konsumi i frutave dhe perimeve është ideale për të mbajtur trupin në formë, por së fundmi kërkuesit kanë arritur në konkluzionin se konsumimi i tyre parandalon një sërë sëmundjesh, madje dhe kancerin. Disa ushqime jo vetëm e parandalojnë, por edhe e luftojnë kancerin.

Hudhrat dhe qepët

Këto perime mund të frenojnë zhvillimin e kancerit, veçanërisht në ezofag, në stomak dhe kolonë (zorra e trashë). Këtë gjë e dëshmojnë studimet e kryera në Kinë dhe Itali. Prania e squfurit tek to duket se jep një ndikim të madh në organizëm për mos zhvillimin e qelizave kancerogjene. Kuerçitina është një molekulë që pengon zhvillimin e kancerit dhe efekti i saj është provuar tek qelizat kancerogjene të zhvilluara në laborator si dhe tek tumoret e shfaqura tek kafshët.

Portokallet dhe limonat

Portokallët janë veçanërisht të efektshëm për parandalimin e kancerit të ezofagut dhe stomakut. Ato përmbajnë substanca që bllokojnë rritjen e qelizave tumorale. Portokalli i kuq në këtë rast është më i efektshëm. Ndërsa tek limonat molekulat me aftësi antioksiduese dhe antitumorale janë flavonoidet.

Brokoli

Perimet si brokolit, lakrat, lulelakrat, rrepat etj janë ndër ushqimet më të efektshme kundër kancerit. Konsumimi i pesë apo më shumë porcioneve në javë i këtyre perimeve ul me 50% rrezikun e prekjes nga tumori i fshikëzës së urinës.

Karrotat

Karoteni, që është i pranishëm tek frutat apo perimet me ngjyrë të verdhë apo të portokalltë na mbron nga kanceri i gjirit. Një studim danez ka arritur në përfundimin se Falkarinoli, që gjendet tek karrotat dhe erëza e majdanozi parandalon kancerin e zorrës së trashë. Por gjatë gatimit kjo substancë shkatërrohet.

Frutat e pyllit

Luleshtrydhet, boronicat etj janë të pasura me një lloj acidi që ndalon qelizat tumorale të ushqehen me rruazat e gjakut.

Bimët aromatike

Mentet, borziloku, rozmarina etj përmbajnë Terpen, molekula të afta të bllokojnë funksionimin e disa onkogeneve (gjene që çojnë i shndërrojnë qelizat në kancerogjene).

Domatet

Domatet e parandalojnë kancerin përgjithësisht për shkak të prezencës së likopenit, pigmentit që i jep ngjyrën e kuqe asaj dhe që gjendet në sasi të madhe në salcën e përgatitur nga domatet e freskëta. Likopeni parandalon veçanërisht kancerin e prostatës. 

Çaji jeshil

Janë të shumta studimet që evidentojnë rolin mjaft të madh që luan çaji jeshil kundër kancerit. Merita për këtë i takon katekinës, molekulës që ndalon zhvillimin e shumë qelizave tumorale si ato të leuçemisë, kancerit të veshkave, të lëkurës, të gjirit, prostatës etj.