Nga Fatos Lubonja

23 shkurt 2015 –  Sipas Lubonjës duhet të jesh skizofren dhe budalla të besosh ato që shkruajnë mediet italiane dhe ato që thotë Rama.Ai është ndaluar dhe te intervista e dhënë nga kryeministri Edi Rama për “La 7” dhe reagimet e shqiptarëve.

“Para disa kohësh kam botuar një artikull, ku midis të tjerash kam shkruar edhe për skizofreninë shqiptare. I mëshoja idesë se shqiptarët vazhdojnë edhe sot, si në kohën e propagandës komuniste, të jetojnë në mënyrë skizofrenike në dy botë: njëra ajo e mburrjes me heronjtë e figurat e tyre të lavdishme dhe tjetra ajo e mallkimit të gjendjes së tyre të mjeruar, që rezulton e shkaktuar nga po këta figura. Në atë shkrim e kisha fjalën për heronjtë e UÇK-së, që po e qeverisnin Kosovën kundër shqiptarëve.

Mora shumë sulme në atë kohë, që më akuzonin si antishqiptar deri në atë shkallë sa po i shaja shqiptarët si të sëmurë psikikë. Në fakt, përdorimi i termit skizofreni nuk ka vetëm kuptimin psikiatrik, por edhe një kuptim tjetër: si bashkekzistencë elementesh inkompatibël apo kontradiktorë në një gjendje, në një libër, në një politikë, shkrim, fjalim apo mendim. Është një term që përdoret për ta shprehur edhe më me forcë atë që me fjalë më të buta mund të quhet kontradiktë, inkoherencë.

Rasti po më jepet që ta sqaroj edhe një herë termin që kam përdorur. Ndërkohë që vendi njohu përmbytjen më të paparë në historinë e vet, për shkak të abuzimeve të rënda njëzetvjeçare me territorin, ndërkohë që në Shqipëri ka shpërthyer krimi sheshit duke arritur të vërë eksplozivë deri në biznesin e familjes së ministrit të Brendshëm, ndërkohë që kriza ekonomike është shpalosur rëndshëm, e lidhur edhe me krizën në Greqi dhe Itali, ndërkohë që shumë shqiptarë po ikin si kurrë më parë në vitet e fundit, në mediet shqiptare pashë të adhurohet një shkrim i Roberto Savjanos “Kjo nuk është më Shqipëria e nënshtrimit”, marrë nga “Espresso”, ku shkrimtari i “Gomorra”-s përsëriste lajtmotivin e një kënge, që ka disa kohë që këndohet në mediet italiane.

Sipas kësaj kënge, Shqipëria ka ndryshuar, aq sa tashmë nuk kemi më fenomenin e ikjes, por atë të ardhjes jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të italianëve. Dhe ajo që më la pa gojë edhe më shumë sesa Shqipëria e përshkruar nga Savjano, ishte reagimi i shqiptarëve në rrjetet sociale.

Thuajse të gjithë ishin të lumtur që jashtë shtetit flitet mirë për vendin e tyre, se Kryeministri i kishte përfaqësuar ata denjësisht, aq më tepër sikur ishin bindur edhe vetë se kjo ishte e vërteta. Thoshe me vete: janë apo nuk janë këta që ankohen pa fund për gjendjen në Shqipëri?

Ja për këtë lloj skizofrenie e kisha fjalën”, shkruan Lubonja për “Panorama”.

“Dalja e Ramës në “La 7”, në një emision që tentonte të paraqiste Shqipërinë si parajsën e italianëve, ishte për mua një pikë kulminante e një politike të tillë skizofrenike.

Sepse duke e dëgjuar nuk mund të mos mendoje për skizofreninë shqiptare: ishte i njëjti njeri që para jo më shumë se një viti e gjysmë ka bërë përshkrimet më të zymta të gjendjes së Shqipërisë: mjerim, varfëri, papunësi, korrupsion, padrejtësi, klientelizëm, sistem që korrupton edhe gjermanët jo shqiptarët, çfarë nuk ka thënë.

Duhet të jesh budalla të mendosh se Shqipëria u kthye në parajsë për italianët në këtë një vit e gjysmë kur janë ndërprerë thuajse edhe investimet për shkak se më parë duhen paguar borxhet – siç ka thënë edhe vetë Kryeministri. Dhe ai i famshmi që ka hapur call center nuk ka ardhur në kohën e Ramës, por në kohën që Rama mallkonte.

Edhe Amelio në atë kohë e ka bërë filmin. Por, për çudi, as opozita nuk reagoi për këtë. Nuk i kërkoi Kryeministrit as llogari se pse nuk ul bythën të punojë në zyrë, por e shohim gjithë kohën në ajër duke fluturuar jashtë për të promovuar Shqipërinë si vepër artistike të tij, ndërkohë që ajo është më keq se kurrë. Sepse të gjithë duhet të jemi të lumtur për imazhin e Shqipërisë në botë. Dhe kush thotë se nuk është kështu, shpejt e paraqesin si antishqiptar. Ja kjo është skizofrenia”, vijon ai.