23 shkurt 2015 – Paraditen e së hënës, mjekët, infermierët dhe personeli shëndetësor i Spitalit të Durrësit dhe i institucioneve të tjera shëndetësore në Durrës organizuan një grevë 1- orëshe paralajmëruese.
Bluzat e bardha, jo vetëm bënë grevën paralajmëruese, por edhe u mblodhën në një manifestim proteste në oborrin e spitalit. Njëlloj si kolegët e tyre të Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë, protesta e mjekëve durrsakë kishte të bënte me “bidatet” e ministrit të shëndetësisë z. Beqja.
Bluzat e bardha janë kundër “shpikjes” së fundit të Ministrit Beqja, futjes së testimit dhe provimit për mjekët dhe infermierët. Ata e konsiderojnë një testim të tillë, sa fyes, aq edhe joprofesional. Protesta e personelit mjekësor durrsak është disi e veçantë, sepse Z. Beqja është edhe dhëndër Durrësi (ka marrë për grua një vajzë nga familja Çuçi-Majushi, e lindur dhe e rritur në Durrës).
Me këtë protestë- solidarizim me kolegët e tjerë, bluzat e bardha të Durrësit në këtë prag fushate elektorale bënë një gjysmë deklaratë të votës së tyre, pra kundër politikave të Qeverisë së Rilindjes, në lëmin e shëndetësisë.
/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





