23 shkurt 2015 – Federata Shqiptare e Peshëngritjes zyrtarizon pjesë- marrjen e saj në kampionatin europian të të rriturve që mbahet në datat 10-18 prill në Tbilis të Gjeorgjisë. Por në fakt konkurrimi i kuqezinjve në pedanën kontinentale për pak sa nuk u rrezikua. Një neglizhencë e dorëzimit të listës së emrave në kohën e duhur (afati i fundit data 6 shkurt) vuri në pikëpyetje garimin e tanëve në Europian. Lajmin e konfirmoi i sapozgjedhuri në postin e sekretarit të përgjithshëm të Federatës, Agron Haxhihyseni. Ndërsa bën me dije se Shqipëria nuk është pezulluar nga ndërkombëtarët, ai sqaron se regjistrimi u bë vetëm tri ditë më parë për shkak se kjo procedurë nuk është bërë në kohën e duhur.
“Po, do të shkojmë në kampionatin europian të Tbilisit. Kjo është zyrtare. Në të vërtetë, konfirmimi nuk është bërë atëherë kur duhet dhe afatet kanë kaluar, por këtë ngërç arritëm ta zgjidhnim vetëm 3 ditë parë. Pra, ne do të marrim pjesë në Europian. Pjesë e delegacionit do të jenë tre sportistë, përkatësisht Shqiponja Brahja në peshën 48 kg, Erkand Qerimaj dhe Sopot Sula i peshës 94 kg. Kombëtarja shqiptare shoqërohet nga presidenti i Federatës, Elez Gjoza, dhe sekretari i përgjithshëm. Për këtë çështje unë do të zhvilloj nesër edhe një bisedë me presidentin e Federatës Europiane të Peshëngritjes, Antonio Urso. Nuk ka vend për panik, përkundrazi situata është normale”, tha sekretari Haxhihyseni.
Ndërkohë, burime konfidenciale thanë se federata shqiptare ka një detyrim financiar të papaguar ndaj federatës europiane (EWF) e mbartur nga viti 2014, por saktësisht nuk dihet se sa është pagesa. Shqipëria rikthehet në pedanën europiane me petkun e kampionit dhe nënkampionit. Në “derbin” kuqezi të peshës 77 kg në eventin e Tel Avivit në Izrael në prill të 2014-s, Erkand Qerimaj do të fitonte medaljen e artë me 349 kg të ngritura në dygarësh e pas tij në podium u ngjit Daniel Godelli, i “djegur” nga pesha trupore me +20 gramë.





