DURRËS, 22 shkurt 2015 –  “Në qoftë se Partia Demokratike ka një kandidaturë më fituese se Agron Duka, padyshim, që Partia Republikane do ta mbështesë”, ka deklaruar Fatmir Mediu për të një përditshme të 22 shkurtit 2015. Aleati i PD-së ka zbutur tonet: “Durrësi për ne [republikanët] nuk është një pretendim. As kandidaturat e tjera që ne do të propozojmë nuk do të jenë thjesht pretendime. Janë një argument i yni se këta emra do të mund të jenë kandidatura fituese dhe në këtë argument do të diskutojmë me kolegët tanë të Partisë Demokratike që të arrijmë në një qëndrim të përbashkët dhe asnjëherë nuk do të përpiqemi të imponojmë, sepse nuk ka asnjë rezultat elektoral pozitiv që mund të vijë nga imponimi i njëanshëm”.

ANALIZË

Me sa duket, kur hodhën balonën e provës, as Mediu dhe as Duka nuk e kanë llogaritur refuzimin e heshtur të bazës demokrate në Durrës. Po t’i referohemi thënies së anëtarit të kryesisë së degës së PD-së Ardian Muka, i bie që Duka të jetë një ndër të 50 emrat e propozuar në short-listën blu. Shifër e lartë që dëshmon për mungesën e njësimit të seksioneve rreth një figure autoritare. Mediu e ka kuptuar se nuk mund ecet me rrugën e imponimit ndaj aleates së madhe. Dështimi i Berishës me Ferdinand Xhaferajn, për shkak të sabotimit të brendshëm, mund të jetë kambanë alarmi dhe për Bashën, por edhe për Dukën. Këtij të fundit s’i intereson të prishë para për një gjë të pasigurt. Vërtet që zgjerimi i Durrësit deri në Ishëm është i favorshëm për agro-politikanin biznesmen, por edhe ai e di që votimet, në ndryshim me hartën e vjetër elektorale, nuk do të jenë më për emrin e kandidatit, por për partinë / koalicionin si në zgjedhjet politike. Nuk pinë shumë ujë ujditë me krerët e fiseve të Rrashbullit, Katundit të Ri, Sukthit, Ishmit, por duhet të rikuperosh diferencën e madhe në qytet, ku autoktonët të lënë “pushkën në faqe”. Kërkohet kohezion i të gjithëve, por kur baza propozon 50 kandidatura, mes të cilëve je dhe ti, përfaqësues i një force satelite, vështirë të mos presësh surpriza ala Fred Xhaferaj. Nuk është se do të përmbyset bota për PD-në, edhe pas 15 vjetësh dominim të të majtëve në Durrës.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/