22 shkurt 2015 – Parma është zhytur në një krizë të paprecedent. Klubi emilian është drejt falimentimit, arkat janë bosh dhe takimi i radhës kundër Udinezes nuk do të luhet. Në këtë pikë po provohet vetëm që dëmet të mos jenë më të mëdha nga sa parashikohet. Bashkiaku Picaroti ka zbritur vetë në fushën e “Tardini”-t, ku të gjithë po dështojnë. Kjo është periudha më e errët e klubit në 101 vite histori.Bashkiaku Picaroti mblodhi skuadrën, përfaqësuesit e federatës, ligës dhe sindikatës së futbollistëve për të diskutuar të ardhmen.
Qëllimi është një falimentim i kontrolluar, i cili do të lejonte ruajtjen e emrit dhe regjistrimin në Serinë B, në rast së Parma nuk ruan dot në fushë mbijetesën mes më të mirëve. Nëse s’ndodh, atëherë e ardhmja do të jetë starti nga kampionati i diletantëve. Në anën tjetër, presidenti Xhampiero Manenti, i cili i bleu klubin Rezart Taçit, vazhdon të premtojë shtyrjen e borxheve, por në ditët e fundit ka humbur besueshmërinë.
Por çfarë do të bëhet nëse situata e ekipit nuk do të ndryshojë? Artikulli 53 i rregullores së Federatës Italiane të Futbollit parashikon se, nëse një ekip nuk prezantohet në fushë dhe e humbet ndeshjen në tavolinë 3-0, dhe në rast se kjo gjë përsëritet katër herë, ekipi në fjalë përjashtohet nga kampionati. Në qoftë se kjo do të verifikohet me Parmën, të gjitha ndeshjet e luajtura nga ekipi emilian do të merren në tavolinë nga skuadrat kundërshtare me rezultatin 3-0. Ndërsa ndeshjet që Parma ka luajtur më parë do të qëndrojnë të pandryshuara. Nga përjashtimi i mundshëm i ekipit do të përfitojnë vetëm skuadrat që deri më tani nuk e kanë luajtur ndeshjen e kthimit në kampionat kundër Parmës, të cilën do ta fitojnë në tavolinë.





