·        Short-lista, mund të dalin 50 emra, që do të përcillen në kryesinë e Tiranës. Natyrisht, elementi që do të përzgjidhet, do të jetë pjesë e tryezës së koalicionit. Do të uroja të mos ishte pjesë e trafikimit politik dhe se procesi të jetë transparent. Realisht PD-ja Durrës do të kërkonte një emër nga short-lista

DURRËS, 21 shkurt 2015 –  “Edhe emri im qarkullon në short-listën, ndoshta me 50 kandidatë, si përfaqësues i PD-së për kryetar bashkie në Durrës”, deklarata është bërë në një televizion rajonal nga anëtari i kryesisë së degës së PD-së, urbanisti dhe biznesmeni Ardian Muka.

Muka ka vlerësuar lidershipin e ri të degës pas zgjedhjeve të gushtit 2014, që synon marrjen e pushtetit vendor nga e djathta pas 15 vjetësh, mbështetur në strategjinë dhe taktikat e kryetarit të selisë qendrore Lulzim Basha. Muka beson se më 21 qershor fiton PD-ja.

Mes të tjerave, lideri vendor Ardian Muka tha:

“Unë mendoj se drejtuesi i një bashkie dihet të jetë figurë politike, por që, nga ana tjetër, duhet të jetë një menaxhues i mirë, i cili mund të vijë nga përvoja në institucion publik apo në sektor privat. Ajo që është e rëndësishme, figura e kryetarit të bashkisë, gjithmonë, sipas konceptit tim, duhet të jetë një ndërthurje e figurës politike dhe menaxhuesit. Aftësitë menaxheriale duhet të jenë të zbërthyera dhe nga një program politik, ku duhet të predominojë filozofia ekonomike, meqenëse kemi të bëjmë me jetën e qytetit, zhvillimet e tij dhe hallet e përditshme”.

I pyetur nëse kandidatura do të vendoset në Tiranë apo nga dega, Muka deklaroi:

“PD-ja Durrës i a të gjitha mundësitë të zgjedhë një emër nga radhët e saj. Dhe për këtë kryetari Basha është mjaft i qartë, do të zbatohet statuti. Procesi ka ritmet e veta, kalon nëpër propozimet që bëhen në seksione, pastaj në kryesinë e degës. Kjo e fundit bën një short-listë, sepse mund të dalin 50 emra dhe besoj që do të dalin, sepse Durrësi i ka të gjitha këto mundësi. Short-lista përcillet në kryesinë e Tiranës, ku, natyrisht, elementi që do të përzgjidhet, do të jetë pjesë e tryezës së koalicionit. Do të uroja të mos ishte pjesë e trafikimit politik dhe se procesi të jetë transparent. Realisht PD-ja Durrës do të kërkonte një emër nga short-lista.

Mund të them se momentalisht një nga emrat që përflitet dhe është në qarkullim është edhe emri im. Kam pasur konsultime brenda radhëve të PD-së, jo vetëm në kryesi, por edhe me bazën, si dhe me qytetarët e thjeshtë. Jam një familje e vjetër durrsake”.

Më hollësisht shih: https://www.youtube.com/watch?v=ACl_Is0OoiU,

http://vizionplus.al/7pa5-pd-dhe-dilemat-per-durresin-20-shkurt-2015/

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/