DURRËS, 21 Shkurt 2015 –  Edhe Durrësi do të shpëtojë nga “merimangat” e telave të internetit dhe telefonisë fikse nëpër shtylla, duke i futur kabllot nën tokë.

Në një tryezë konsultative mbi projektplanin për rehabilitimin e infrastrukturës së rrjeteve kabllore ajrore në Shqipëri, Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike Milenë Harito tha: 

“Ky projektplan ka si qëllim kryesor hartimin e një sërë masash për zgjidhjen e problemeve me infrastrukturën kabllore ajrore të rrjeteve të telefonisë fikse dhe internetit. Situata është emergjente për shkak të infrastrukturës kaotike të rrjeteve kabllore në të gjitha qytetet. Ky projekt plan ka një rëndësi të veçantë, sepse sot interneti është një shërbim i domosdoshëm për secilin prej nesh dhe për këtë arsye duhet të ndërtojmë standarde për të realizuar infrastrukturë të qenësishme”.

Projektplani propozon disa hapa për marrjen e masave të rehabilitimit të infrastrukturës së kabllove ajror duke përfshirë edhe heqjen e telave jofunksionalë, por që prej dy dekadave qëndrojnë të palëvizura. Tryeza konsultative mblodhi së bashku shumë aktorë duke përfshirë përfaqësues nga bashkitë e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Urban, operatorëve të internetit dhe telefonisë fikse në vend si dhe ekspertë të institucioneve publike.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/