DURRËS, 21 shkurt 2015 –  Të gjitha kanalet problematike në zonën e Plazhit dhe Shkozetit në Durrës po pastrohen për t’i paraprirë sezonit turistik. Kanalet e hapura që kalojnë përmes lagjeve nr. 13 (Plazh) dhe nr. 14 (Shkozet) në qytetin bregdetar kanë qenë problem i vazhdueshëm edhe për përmbytjet gjatë sezonit të dimrit.

Për këtë arsye Bordi i Kullimit ka nisur pastrimin e tyre duke larguar tonelata të tera me mbeturina dhe inerte. Bllokimi i këtyre kanaleve shkaktonte përmbytje të herëpashershme të zonave të banuara në Plazh dhe Shkozet, pasi ujërat që mblidheshin nga shirat nuk shkonin drejt kolektorit kryesor në Porto Romano.

Me mjete të renda u përqendrua fillimisht puna në kanalin që përshkon zonën e Plazhit, një zonë tepër problematike në sezonin e plazhit. Aktualisht po punohet për zhbllokimin e kanalit pranë Urës së Dajlanit, i cila është konsideruar si një nyje mjaft problematike.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/