· Papa Françesku, më 22 shtator 2014 në Bubq në qendrën / fshatin “Betania”: “Kjo qendër dëshmon se është e mundshme një bashkëjetesë mes njerëzve të ndryshëm e me fe të ndryshme. Feja nuk e dëmton bashkëjetesën, por ajo ndihmon në këtë bashkëjetesë”
DURRËS, 19 shkurt 2015 – “LARGOHU KAUR(R)”, ky është teksti i grafitit-mesazh, të shkruar në portën e shtëpisë së elektriçistit Ndue Kaci në një fshat të komunës krutane të Bubqit pas një sulmi me armë gjatë natës.
Drejtoria e policisë së qarkut Durrës-Krujë njofton se, të mërkurën, më 18 shkurt 2015, ora 6.45, në fshatin Mazhë e Vogël të komunës së Bubqit Krujë, gjatë natës, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së 55-vjeçarit Ndue Kaci, me profesion elektricist. Nga veprimet e para hetimore rezulton se është qëlluar me armë gjahu në drejtim të banesës dhe një “Audi” me targa AA384FU, duke i shkaktuar dëmtime të shumta.
Nga të shtënat janë thyer xhamat e banesës dhe xhamat e makinës në oborrin e shtëpisë. Për fat të mirë, 3 fëmijët e Ndue Kacit kanë shpëtuar. Në vendin e ngjarjes janë gjetur objekte metalike në formë rrethore të petëzuara si ato të saçmave që përdoren nga armët e gjahut. Ndërkohë në portën e banesës ishte lënë një grafit i bardhë: “Largohu kaur(r)”. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
ANALIZË
Vetë Ndue Kaci ka deklaruar para medieve:
“Kam 6 muaj që kam ardhur në këtë banesë, kam kaluar shumë mirë me banorët e këtij fshati, por këtu më kanë dalë si në Siri. Më kanë gjuajtur nga rruga në banesën time, u tmerrua dhe familja, por shyqyr që nuk na ndodhi ndonjë vrasje.
Frikë, jo që pata se unë nuk i kam bërë asgjë dikujt, por me shkrimin që me kanë lënë te porta “largohu kaur”, kjo del sikur është diçka fetare. Unë nuk e kam të zorshme për t’u larguar, por vetë më kanë futur këtu”.
Gjithsesi, ky mesazh ndaj një banori të krishterë / katolik është tejet i pazakontë, po të kihet parasysh jo thjesht harmonia fetare me shqiptarëve, por edhe fakti se në Bubq ndodhet Qendra / Fshati “Betania”, ndalesa e fundit e Atit të Shenjtë para nisjes drejt aeroportit të Rinasit, më 22 shtator 2014. Këtu Papa ka zhvilluar një takim me fëmijët e kësaj qendre, por edhe banorë të zonës, dhe personalitete. Në këtë qendër janë të strehuar aktualisht 70 fëmijë, ndër të cilët shumica janë jetimë, të braktisur dhe me probleme të shumta sociale.
Papa Françesku theksoi, ndër të tjera:
“Çdo ditë ne duhet t’i mirëpresim këto fëmijë. Kjo fe i hap zemrat dhe duart e përhap dashurinë nëpërmjet këtyre veprimeve. Kjo qendër dëshmon se është e mundshme një bashkëjetesë mes njerëzve të ndryshëm e me fe të ndryshme. Feja nuk e dëmton bashkëjetesën, por ajo ndihmon në këtë bashkëjetesë. Ne nuk duhet të na vijë turp nga varfëria. Mirësia është ajo që na bën të heqim dorë nga hakmarrja. Kjo është një çmim për jetën tonë. Ne harrojmë të ndjejmë ato grimcat e gëzimit të përditshëm. Paraja nuk na kënaq, ne duam të marrim dashurinë që na dhuron zoti. Nuk duhet të masim çdo gjë me masën e lekut, kjo është e rrezikshme”. Gjykuar dhe nga kontributi i kësaj qendre, mund të hamendësohet se sulmi ndaj elektricistit nuk është me “origjinë” vendase. Thjesht, ndonjë grup terrorist mund të jetë i interesuar për destabilizim.
Info / Shoqata “Betania”
“Betania” u themelua në vitin 1998, në fshatin Bubq të Krujës si qendra e parë misionare jashtë Italisë. U mor me qira shtëpia e parë. që mirëpriti fëmijët e mbërthyer nga varfëria, viktima të braktisjes, abuzimit e dhunës, jetimë apo që kanë vetëm një nga prindërit. Pas blerjes së një toke vetëm pak kilometra nga komuniteti i parë, lindi bërthama e parë e kompleksit “Fshati Betania”, që përbëhet nga 10 “shtëpiza. Fshati u përurua më 14 qershor 2005. Por shumë shpejt, duke qenë se kërkesat për ndihmë dhe strehim filluan të shtoheshin, lindi projekti për të akomoduar fëmijë dhe të rinj të moshave nga 0 deri në 18 vjeç, me ndërtimin e një godine të madhe, të quajtur “Shtëpia e Engjëjve” në vitin 2007: me zyrat e shoqatës, kuzhinën dhe mensën që i shërbejnë tërë fshatit dhe një shkollë për mysafirët e vegjël të moshave 3 deri 5 vjet, përveç banesës. Që në fillim u vendos të merret përsipër shpërndarja e ushqimeve për familje në nevojë; ristrukturimi i shkollave të Bubqit dhe Tarit me banka, pajisje dhe artikuj shkollorë, si dhe për zyra e kancelari; ristrukturimi i ndërtesës së komunës së Bubqit me pajisje të mobiluara; ristrukturimi i stacionit të policisë së Durrësit me pajisje të mobiluara; ndihma për pavijonet e maternitetit të Lushnjës e Lezhës dhe sigurimi i pajisjeve të ekografisë, inkubatriçe, djepa termikë dhe shtretër për vizita mjekësore; përfundimi i ujësjellësit të Bubqit e Murqinës; sistemimi i rrugëve të fshatrave të Mallkuçit e Murqinës; dhënia e ndihmave ndaj banorëve të zonave të përmbytura në Fushë-Krujë e Arst-Miliska, me anë të ushqimeve dhe batanijeve; dhënia e ndihmës në burgjet e Krujës, Burrelit dhe Lezhës, duke iu dërguar ushqime (për të vendosur një dietë të përditshme në kufijtë e mbijetesës), veshje, produkte të higjienës personale, dyshekë me sfungjer, ilaçe, si dhe pajisje kuzhine dhe gjeneratorë elektrikë. Një nga shërbimet e ofruara nga komuniteti i Bubqit është shpërndarja e ndihmave për familjet në nevojë që vijnë në Fshat, e paraqesin nevojat e tyre. Përveç fëmijëve, ka dhe shumë njerëz të moshuar që i drejtohen për ndihmë “Betanias”. Rreth 80 të moshuarve që nuk marrin asnjë ndihmë nga autoritetet lokale, u jepet një kontribut mujor prej 10 euro, për blerjen e ushqimeve dhe medikamenteve.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





