DURRËS, 19 shkurt 2015 –  Teuta vazhdon përgatitjet për ndeshjen e radhës. Këtë fundjave durrsakët do të përballen me Partizanin, një sfidë tejet e vështiurë për "djemtë e detit", të cilët kërkojnë të bëjnë autokritike pas humbjes në shtëpi me Laçin. Përtej kundërshtarit të favorizuar në letër, durrsakët kanë besim se do të marin një rezultat pozitiv përballë "Partizanit. Teuta do të jetë me kontigjent të plotë në përballjen me Partizanin në fundjavë.

"Djemtë e detit" po përgatiten me intesitet në kuadër të kësaj sfide dhe gjithçka po shkon shumë mirë sa i përket gjendjes së skuadrës. Në këtë përballje skuadrës do t'i rikthehen tre titullarë, të cilët nuk ishin të disponueshëm në përballjen me Laçin përveç mesfushorit Deliallisi, i cili u aktivizua vetëm pak minuta gjatë pjesës së dytë të ndeshjes. Ndaj Partizanit do të rikthehen Kuli dhe mesfushori organizator Koreshi, lojtar i cili ka patur probleme  me dëmtimin dhe prej një kohe të gjatë nuk ka qenë i disponueshëm për të ndihmuar skuadrën. Durrsakët e konsiderojnë të vështirë kundërshtarin, por kanë besim se skuadra do të reagojë duke siguruar një rezultat pozitiv ndaj kryeqytetasve, të cilët vijnë gjithashtu nga një humbje e thellë përballë skuadrës së Kukësit fundjavën e kaluar.

Objektivi aktual i Teutës mbetet mbijetesa dhe për arritjen e tij durrsakët janë shumë të bindur. Sipas tyre, skuadra pavarësisht se ndodhet në vendin e shtatë në tabelën e klasifikimit nuk rrezikon të bjerë nga kategoria. Rikthimi i disa prej titullarëve ka kthyer optimizmin në radhët e "djemve të detit", të cilët premtojnë autokritikë në përballjen e radhës me Partizanin.