19 shkurt 2015 –  Pas ndeshjes ku Partizani u mund 3-0 dhe u eliminua nga Laçi në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, klubi i kuq vendosi heshtje për shtyp. Trajneri Shpëtim Duro nuk u prononcua pas sfidës, në një kohë që klubi lajmëroi se ka heshtje për shtyp. Sipas tyre, kjo situatë do të vazhdojë deri pas ndeshjes së kampionatit këtë fundjavë ndaj Teutës. Situata në skuadër është kaotike. Ekipi eliminohet nga Kupa, në një kohë që në kampionat është gjashtë pikë larg kryesueseve. Ndërkaq reagimet e tifozëve të Partizanit kanë qenë të ashpra. ”E shitët, e shitët! Ta bojkotojmë, ose Gaz Demi si Bert Xhani!

Lojtarë pa gjak, njollosin fanellën!” Këto janë disa nga komentet e tifozëve në rrjetin social “Facebook”, të cilët kanë mbetur mjaft të zhgënjyer nga paraqitja e Partizanit në ndeshjen ndaj Laçit. Disa prej atyre akuzojnë Shpëtim Duron, ndërsa kërkojnë largimin e tij nga kjo skuadër. Mirëpo, tifozët e kuq janë aq të irrituar, sa mllefin e tyre për këtë ndeshje të humbur, që solli skualifikimin nga Kupa, e shprehin: “Ata duhen demaskuar me vezë dhe domate para se të luajnë me Teutën!”. Disa prej tyre e kanë cilësuar si “një tufë legenësh që bëjnë pazare”. Komentet e mëposhtme janë marrë nga faqet e ndryshme që kanë mijëra ndjekës në “Facebook”. Komente janë bërë në disa prej faqeve më të ndjekura të Partizanit, si edhe faqeve të ndryshme që janë shumë aktive në lidhje me futbollin shqiptar. Ndërkaq, në faqen zyrtare të klubit të kuq në “Facebook”, nuk ka pasur asnjë njoftim. Edhe disa mbështetës të kuq që kanë tentuar të komentojnë në faqen zyrtare të klubit në postimet e kaluara, sapo e kanë bërë një gjë të tillë, u është fshirë menjëherë komenti.