18 shkurt 2015 –  Policia e Riminit arrestoi Fabjana Hoxhën, 21 vjeçe, me origjinë nga Durrësi dhe klandestine në Rimini, si edhe Florjan Prenin, 23 vjeç për shfrytëzim prostitucioni.

Në qershor 2014, një prostitutë hungareze ishte plagosur në kofshë me thikë nga një prostitutë shqiptare. Hungarezja ishte plagosur, sepse kishte kundërshtuar të pagonte “qeranë” 50 euro nata për të prostituar në trotuar.

Policia italiane, me ndihmën e dëshmive të disa prostitutave të tjera rumune e ngushtoi lakun ndaj dy keqbërsve. Pas vënies në përgjim të Fabianës u mblodhën provat e nevojshme për t’i arrestuar që të dy shfrytëzuesit e prostitutave.

Mbi Florianin, ndonëse në moshë të re rëndojnë precedentë penalë për shfrytëzim prostitucioni, kanosje e dhunë fizike. Mbi Fabianën rëndojnë akuzat për qëndrim klandestin në Itali, prostitucion, shfrytëzim prostitucioni dhe plagosje me armë të ftohtë.

Fabjana, jo vetëm që prostituonte vetë, por për të shtuar të ardhurat, i detyronte koleget e tjera të paguanin qera për vendin e ushtrimit të “zanatit”. Çifti i arrestuar siguronte rreth 1000 euro të ardhura në natë. Nga përgjimet e policisë rezultoi që çifti shfrytëzonte edhe një prostitutë të re shqiptare, me të meta fizike. Nga përgjimet del që çifti e konsideronte këtë prostitutë, si pronë të vetën.

/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/