18 shkurt 2015 –  Policia kufitare në Portin e Brindizit arrestoi dy shqiptarë, sapo ata zbritën nga trageti Red Star i linjës Vlorë-Brindizi. Altin Ramolli, 41 vjeç u arrestua sepse ishte marrë me trafik droge me autobuzë nga Shqipëria për në Katania (Sicili).

Altini e kishte zhvilluar këtë aktivitet që nga qershori i vitit 2014. I arrestuari i dytë ishte  Genci Kajtalli, 42 vjeç. Mbi Gencin rëndonte një dënim me 27 muaj burg, i dhënë nga Gjykata e Leçes për shpërndarje droge. Pas arrestimit, Genci dhe Altini u dërguan në Burgun e Brindizit. 

Policia kufitare e Brindizit, vetëm gjatë periudhës 1 janar – 15 shkurt 2015 ka kthyer mbrapsht rreth 100 qytetarë shqiptarë, sepse kishin mungesa në dokumentacionin e nevojshëm për të hyrë në Itali, ose mbi ta rëndonte një masë dëbimi nga territori italian.

Siç duket me pengimin e trafiqeve nga policia kufitare e Durrësit, Porti i Vlorës po përdoret gjithnjë e më shumë për të tilla kalime të paligjshme, në drejtim të Italisë.

/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/