DURRËS, 18 shkurt 2015 – Drejtoria rajonale e Kulturës Kombëtare (DRKK) Durrës njofton se specialistët e sektorit të saj të Krujës kanë shkuar në monumentin e Urës së Kurçajt. DRKK-ja thotë se ky inspektim bëhet në kuadër të kartelizimit të objekteve të trashëgimisë kulturore, proces i shtrirë në të gjithë vendin.
Ura e Kurçajt ndodhet në jug të Krujës në hyrje të fshatit Kurçaj të komunës së Niklës, nga ana e Krujës, mbi lumin e Zezës, që buron nga Qafështama. Ura e Kurçajt i shërbente rrugës së shkurtër të karvanëve Tiranë-Krujë, sipas këtij itinerari: Tiranë-Zall Herr-Rradhesh-Mukaj-Buronjë-Kurçaj-Barkanesh-Krujë.
Në thembrat e qemerit të madh ruhen vrimat e trarëve të poshtëm të armaturës së harkut. Është ndërtim i shekullit XVIII. Në faqet ballore është e punuar me gurë pllakë të zinj, vendosur shtrirë, ndërsa kalldrëmi është i bërë me breza, tip shkallësh. Këta breza ngihen mbi bazën e kalldrëmit rreth 10-15 cm dhe shtriheshin çdo 100-120cm.
/përg. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





