• PËRTEJ NJË LAJMI TË KRONIKËS SË ZEZË / Pasiguria në anijen e transportit udhëtarë e kamionë për shkak të neglizhencës së ekuipazhit.
• Indiferenca e organeve shtetërore ndaj krimit transnacional që mund të financojë edhe aktet terroriste
DURRËS, 15 shkurt 2015 – Një incident i rëndë ndodhi në tragetin 36-vjeçar “AF Francesca” gjatë udhëtimit të tij orët e para të së dielës, më 15 shkurt 2015 nga Bari për në Durrës. Hajdutët thyen dyert e kabinave të 5 kamionëve të braguar në garazhin e tragetit. Sipas njoftimit zyrtar të drejtorisë së policisë së qarkut të Durrësit, kamionët u përkasin kompanive shqiptare dhe maqedonase: si kamioni me targë AA 842 CD i firmës “Çaushi Trans” shpk; kamioni me targë SK 095 RM i firmës maqedonase Via Trajkovski D.O.O., kamioni me targë DR 0870 F I firmës “Rugia Trans” shpk, kamioni me targë EL 4340 C i firmës “Alena-AL” shpk, kamioni me targë SK 5618 AG i një firme maqedonase. Në kabinat e kamionëve u vodhën disa celularë në pronësi të shoferëve (marka “IPhone”, “Samsung” apo “Nokia”, tip i vjetër), u vodhën euro në shuma të vogla si 200 apo 300 euro, 26 000 lekë shqiptarë, 2 ora dore të markës “Cartier” dhe një stekë me cigare.
ANALIZA
Kamera me qark të mbyllur
Paratë dhe sendet e vjedhura në pamje të parë tregojnë se kemi të bëjmë me vjedhje të vogla pa ndonjë interes të veçantë. Faktikisht këto vjedhje hodhën edhe një herë dritë mbi problemet e pafund, që karakterizojnë transportin me traget nga Shqipëria drejt Italisë. Kujtojmë se, për shkak të sigurisë teknike, mbikëqyrja me kamera me qark të mbyllur e garazhit të tragetit është i detyrueshëm.
Në rastin e 15 shkurtit 2015, ose kamerat nuk funksionojnë ose personeli (oficeri i rojës në urën e komandimit) i caktuar me monitorimin e kamerave, nuk e ka kryer detyrën për neglizhencë apo si bashkëpunëtor i hajdutëve. Sido që të jetë puna problemi i monitorimit të kamerave tregon, që në këto tragete kemi shkelje të rënda të rregullave të sigurimit teknik. Kujtojmë që në rastin e tragjedisë së tragetit të djegur “Norman Atlantic”, mosmonitorimi i kamerave të tilla çoi në moszbulimin në kohë të vatrës së zjarrit të rënë pikërisht në garazhin e tragetit. Në rastin e “AF Francesca”-s së kompanisë italiane ADRIA FERRIES ishin hajdutët, që nuk u panë në kamera. Larg qoftë, nesër, në rast zjarri, mund të kemi tragjedi me cenim jetësh njerëzore e me dëme monetare në vlera jashtëzakonisht të mëdha.
Transferta ilegale parash?
Ka dyshime të besueshme, që thyerja masive e dyerve të kabinave të kamionëve nuk është bërë për të vjedhur 200-300 euro, telefona të vjetër “Nokia” apo një stekë cigaresh. “Vizitorët” e kabinave kishin si synim të gjenin shuma të mëdha prej qindra mijëra eurosh të transportuara ilegalisht nga Italia në Shqipëri. Këto euro mund të jenë fryt i veprimtarive kriminale si shfrytëzim prostitucioni, drogë etj, por mund të shërbejnë edhe për financimin e terrorizmit.
Deri tani as polica as dogana nuk ia kanë ngenë të godasin të tilla transferta ilegale parash. Zyra e z. Gazheli, që lufton pastrimin e parave, ka kohë e nge t’u bjerë në qafë kot biznesmenëve të ndershëm durrsakë për gjoja pastrim parash, por jo të japë alarmin për të tilla transferta ilegale. Normal, kur një organizëm i tillë konceptohet jo si filtër anti-kriminalitet dhe anti-terror, por si instrument për gjobëvënie personale apo për fushatën elektorale të PS-së, do të kemi edhe mosvëmendje të tilla, kur bëhen transferta prej qindra mijëra eurosh me një herë të vetme. Le të shpresojmë se vjedhja që ndodhi në tragetin “AF Francesca” të ketë shërbyer për të dhënë alarmin pranë organeve kompetente të lartpërmendura.
/gj. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





