DURRËS, 13 shkurt 2015 –  Firma ricikluese e skrapit të plumbit “Somet” shpk në Shkozet u pezullua nga Inspektorati Shtetëror i i Punës (ISHP) për shkak të mungesës së masave mbrojtëse për shëndetin e punonjësve. Këtë fakt e bëri të ditur vetë drejtori i përgjithshëm i ISHP-së Dritan Ylli.

Shoqëria “Somet” shpk, me administrator Aldo Gaeta, merret me grumbullim dhe përpunim baterish të përdorura për transformimin e tyre në blloqe plumbi ose në lingota plumbi; grumbullim dhe përpunim mbeturinash plumbi për transformimin e tyre në blloqe plumbi ose në lingota plumbi; transformim i oksidit të plumbit në lingota plumbi. Importim dhe eksportim i këtyre materialeve. 

Kryeinspektori i Punës Dritan Ylli tha: 

“Nisur nga ankimet e vetë punonjësve, u pezullua puna. Aktiviteti ishte industri e rëndë me lëndë të rrezikshme për shëndetin e punonjësve. Ekzaminimi mjekësor ishte fiktiv. Kushtet e punës ishin problematike dhe nuk ishte marrë asnjë masë mbrojtëse për shëndetin e punonjësve. Aktiviteti do të jetë i pezulluar deri në rikthimin e sigurisë për mosdëmtimin e shëndetit të punonjësve dhe riekzaminimin mjekësor të tyre”.

ANALIZË

Duke përgëzuar ISHP-në, nuk ka pse të mos kritikohen ministritë e Mjedisit dhe të Shëndetësisë, që e dinë mirë se ç’ndotje e madhe ajri shkaktohet nga kjo firmë apo ajo e shkrirjes së metaleve më ngjyra në Shkozet, duke dëmtuar jo vetëm punëtorët, por edhe banorët. Inspektorati rajonal i Mjedisit ndodhet vetëm 150 metra larg “Sometit” dhe “Teknoservisit”. Ndoshta nuk e “dinë” vendndodhjen, përderisa drejtoria e përgjithshme ekzekutive e shoqërisë publike “Hekurudha Shqiptare sha”, e cila pas një tenderi i shiti “Sometit” për 328 440 lekë 9 200 kg bateri lokomotivash në muajin janar 2015, adresën ia përcakton në… Tiranë, ndonëse ofiçina e trenit në plazh ndodhet 200 metra larg blerësve të baterive në Shkozet! 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/