13 shkurt 2015  Kore antishqiptare në ligën ballkanike të basketbollit. Ndeshja e basketbollit mes malazezëve të Sutjeska dhe Prishtinës ka zgjatur pak minuta, pasi tifozët vendas kanë lëshuar në drejtim të lojtarëve kundërshtarë fishekzjarre duke lënduar disa prej tyre dhe pjesëtarë të stafit.

Atmosfera në Nikshiq nuk ka qenë aspak miqësore. Përkrahësit malazezë kanë lëshuar kore antishqiptare apo Kosova është Serbi.

Takimi ka qenë i vlefshëm për Ligën Ballkanike. Situata nuk është qetësuar, edhe kur policia ka boshatisur një pjesë të pallatit të sportit të Nikshiqit. Zyrtarët e Ligës Ballkanike kanë vendosur ta ndërpresin sfidën duke i dhënë fitoren Prishtinës me rezultatin 20 – 0.

Bëhet e ditur se të premten do të merret një vendim për ndëshkimin e Sutjeskës. Klubi i Basketbollit Prishtina ka shprehur keqardhjen për ngjarjen duke sqaruar se ekipet që do të vijnë të luajnë në fushën e tyre, do të priten me respekt.