13 shkurt 2015 –  Shqipëria vazhdon të humbasë pozicione në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s. Për shkak të Kupës së Afrikës dhe asaj të Azisë, kombëtarja kuqezi zbret edhe më shumë duke u pozicionuar në vendin e 63-të bashkë me Australinë.

Krahasuar me një muaj më parë, skuadra e drejtuar nga Gianni De Biasi humbet 5 posizione pasio kombëtare si Koreja e Jugut, Kongo apo edhe Australia kanë fituar shumë terren për shkak të arritjeve në kompeticionet e zhvilluara këtë fillimviti. 548 është numri i pikëve për kuqezinjtë që lënë pas Malin e Zi me 11 pikë më pak. Kundërshtari i radhës në eleminatoret Euro 2016, Armenia qëndron në vendin e 74-rt, edhe pse ka fituar terren me 5 vende krahasuar me një muaj më parë, ndërsa Serbia, Portugalia dhe Danimarka gëzojnë pozita më komode në këtë klasifikim pasi renditen përpara Shqipërisë.

Përsa i përket kryesimit, Gjermania vazhdon të udhëheqë bindshëm me 1729 pikë, e ndjekur nga Argjentina dhe Kolumbia. Deri në vendin e shtatë ku ndodhet Portugalia nuk ka ndryshuar asnjë pozicion, ndërsa Spanja zbret në të dhjetin. Në pozita kritike ndodhet edhe Italia që ka zbritur në vendin e 12-të, ndërsa Bregu i Fildishtë fiton plot 8 pozicione duke hyrë në 20-ëshen e parë falë suksesit në Kupën e Kombeve.