DURRËS, 12 shkurt 2015 –  Pas pothuajse 40 vitesh në Urën e Abdyl Agës, ushtrohet inspektim nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare (DRKK) Durrës, sektorët e Krujës dhe Tiranës, në kuadër të kartelizimit të objekteve të Trashëgimisë Kulturore, njoftohet në një status të DRKK-së në rrjetin social Face Book. 

Monumenti ndodhet në Grykën e Shkallës së Zezës në Krujë ndërmjet fshatrave Barkanesh e Cudhi të Malësisë së Krujës. Sot ajo lidh fshatrat e Rranxës (Barkanesh, Këlcunjë, Buronjë, Kukaj, Mukaj, Rradhesh, Herraj) me malësinë e Krujës (Cudhi Bruz, Rranxë etj). Nën të kalon lumi i Zezës, i cili nëpërmjet Fushë-Krujës i drejtohet ultësirës bregdetare. 

Sipas burimeve vendase, ndërtimi i urës rezulton rreth viteve 1810-1820. Është përdorur gur gëlqeror i malit pranë. Ngjitur me urën ruhen gjurmë kalldrëmesh mesjetare të kohëve të ndryshme. Duke parë terrenin dhe gjerësinë e urës, mund të thuhet se është ndërtuar për këmbësorët apo karvanët e vegjël, pasi është e pamundur që në atë terren të kalojnë karro të mëdha. Ura paraqitet në gjendje të mirë duke llogaritur sa kohë ka kaluar nga inspektimi i fundit dhe nuk paraqet cedime apo krisje, ndërsa shtresa e kalldrëmit mbi urë është dëmtuar, në një gjatësi 15 m dhe gjerësi maksimale 2 m.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/