DURRËS, 12 shkurt 2015 –  Drejtoria e policisë e qarkut të Durrësit bën të ditur se të mërkurën, më 11 shkurt 2015, ora 08.50, te rreth rrotullimi i Shën-Vlashit, që lidh Porto-Romanon me autostradën, një grup studentësh të universitetit “Aleksandër Moisiu” bllokuan rrugën. U mor takim me përfaqësuesit e studentëve. Këta të fundit pretendonin se e kishin organizuar protestën për problemin e shërbimit urban drejt universitetit. U morën masa për zhbllokimin e rrugës dhe normalizimin e  lëvizjes normale të automjeteve. Meqenëse nuk kishin vënë në dijeni autoritetet për këtë veprimtari, 4 nga protestuesit më aktivë u shoqëruan në mjediset e policisë për sqarimin e rrethanave.

Drejtori i policisë së qarkut Perlat Çullhaj i tha portalit “durreslajm.com” se studentë me banim në Tiranë kërkonin që furgonët / autobusët që i sjellin nga kryeqyteti të lejoheshin të t’i çonin deri në kampusin universitar dhe jo të vijnë deri në Durrës dhe të hipin në autobusët qytetës. Çullhaj sqaroi se në bazë të ligjit, automjetet e shërbimit ndërqytetës (në këtë rast: Tiranë-Durrës-Tiranë) nuk lejohen të bëjnë shërbim në linjat brenda qytetit të Durrësit. Është një problem që duhet zgjidhur nga dikasteret përkatëse.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/