DURRËS, 12 shkurt 2015 –  Administratori i OSHEE-së Adrian Çela u shpreh se, për uljen e humbjeve në rrjet dhe rritjen e arkëtimeve, do të ketë shtrirje të sistemeve moderne matëse në të gjithë territorin:

“Kemi programuar dy zona pilot në Tiranë dhe Durrës ku do të mund të vendosim 10 mijë matës inteligjentë. Janë zona të cilat rezulton se kanë humbjet më të mëdha të energjisë elektrike. Një test paraprak për të arritur gradualisht në objektivin e deklaruar që brenda disa vitesh të kemi shtrirjen e këtyre sistemeve moderne të matjes tek të gjithë konsumatorët”.

Kurse Kryeministri Edi Rama deklaroi:

“Ne na duhet të transformojmë sistemin e matësve dhe do të hyjnë me matësin inteligjent. Me matës që matin çdo gjë dhe jo vetëm që matin çdo gjë, por që kanë kapacitetin të lajmërojnë kudo ku energjia po konsumohet dhe nuk po faturohet, kanë kapacitetin inteligjent të lëvizin flukset energjisë sipas nevojës, natën, ditën ose sipas zonave, në kohë të caktuar… Por gjëja optimiste dhe lajmi i mirë është që një nga grupet më të mëdha botërore, “Deutsche Telekom”, nëpërmjet grupit të vet TI-systems, na ka bërë një ofertë për të ndërtuar një bashkëpunim, duke filluar me një projekt pilot, që do të jetë projekti që do të na japë mundësinë të kuptojmë efektshmërinë e matësve në disa zona të ndryshme, që janë përcaktuar nga kompania… zona me natyra të ndryshme dhe njëkohësisht duke na dhënë të gjithë elementët se si do të futemi në një proces të hapur, me çfarë termash e me radhë”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/