Pas mbështetjes financiare prej 15 milionë lekë me anë të fondit të emergjencës, punonjësit e Autoritetit Portual Durrës kanë grumbulluar para, me të cilat janë përgatitur 300 kuti standarde me 12 kg ushqime secila: makarona, oriz, vaj, sheqer, fasule, salcë, biskota, etj.

DURRËS, 12 shkurt 2015 –  Të enjten, më 12 shkurt 2015, paradite, janë nisur nga porti i Durrësit drejt zonave të përmbytura në jug të vendit 300 pako me mbi 3 tonë ndihma ushqimore. 

Pas mbështetjes financiare prej 15 milionë lekë me anë të fondit të emergjencës, punonjësit e Autoritetit Portual Durrës (APD) kanë grumbulluar gjatë ditëve në vazhdim një sasi të ardhurash monetare, me të cilat janë blerë ndihma ushqimore për banorët e zonave të përmbytura.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm ekzekutiv i APD-së, Artjan Qirici, në cilësinë e kryetarit të komisionit të emergjencës në port, njofton se nisma e ditëve të fundit për solidaritet me familjet e dëmtuara nga përmbytjet në jug të vendit është mbështetur nga të gjithë punonjësit e portit. Automjeti me 300 pakot me mallra ushqimore u nis drejt Fierit, ku, sipas marrëveshjes me shtabin qendror të emergjencave në shkallë vendi, depozitohen edhe ndihmat e APD-së.

Mësohet gjithashtu se në kutitë standarde me 12 kg ushqime secila janë paketuar makarona, oriz, vaj, sheqer, fasule, salcë, biskota, etj.

Thirrjes i janë bashkuar edhe punonjësit e kompanive dhe firmave koncesionare, agjencive detare, kompanive stivadore dhe operatorëve të tjerë portualë, të cilët, përmes komisionit të posaçëm që u krijua në port, do të njoftojnë për sasinë e ndihmave që gjatë ditëve në vazhdim do t’u drejtohen zonave të përmbytura të jugut.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”. Kontribuoi g. k./