DURRËS, 11 shkurt 2015 – Edhe pushteti vendor në qarkun e Durrësit do të ndihmohet nga Konfederata Zvicerane.
Ka nisur të mërkurën, më 11 shkurt 2015, faza e tretë e programit për Decentralizim dhe Zhvillim Vendor. Zvicra ka ofruar 7.2 milionë franga në funksion të përmirësimit të qeverisjes vendore në veri të Shqipërisë. Lajmi u bë i ditur nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi i cili u takua me ambasadorin zviceran Christoph Graf:.
“Nënshkruam sot me Ambasadorin zviceran Z. Christoph Graf marrëveshjen për Programin për Decentralizim dhe Zhvillim Vendor (DLDP). 7.2 milionë franga zvicerane në funksion të përmirësimit të qeverisjes vendore në veri të Shqipërisë, që vijnë si një kontribut i vazhdueshëm për reformën territoriale dhe atë të decentralizimit nga ana e Konfederatës Zvicerane”.
Programi parashikon një angazhim financiar prej 88 milionë frangash zvicerane gjithsej për periudhën 2014-2017 kryesisht të destinuara për mbështetjen e pushtetit vendor.
Ambasadori zviceran Christoph Graf u shpreh:
“Kjo është faza e tretë e një ndërhyrjeje afatgjatë të mbështetur nga qeveria zvicerane e cila ka dhënë rezultate të prekshme në nivel lokal në Shkodër dhe Lezhë, qarqe në të cilat janë zhvilluar faza e parë e këtij programi që ka prekur fushat e menaxhimit të financave trajtimit të mbetjeve urbane dhe ngritjen e one stop shop-eve”.
Faza e tretë do të përfshijë tri zona të tjera, në mënyrë specifike Kukësin, Dibrën dhe Durrësin, por shumë shpejt do të shtrihet në të gjithë vendin.
/th. m. agjencia lajmeve “Dyrrah”/





