DURRËS, 11 shkurt 2015 – Eksportet masive të mallrave të papaketuara / të derdhura / rinfuso, si dhe investimet në vite, bëjnë që në portin më të madh të vendit të vijë edhe gjiganti oqeanik "Jian Qiang", tonazhi gjithsej i të cilit bashkë me ngarkesën arrin deri në rreth 47 mijë tonë.
Kështu, të hënën, më 9 shkurt 2015, ora 10:40, paradite, në Terminalin Lindor, kalata / moli nr. 11, bregëzohet transportuesi i mallrave rinfuso "Jian Qiang" për të ngarkuar 25 mijë tonë klinker, lëndë e parë për çimento, prodhuar në Fushë-Kruja me destinacion Egjiptin. Që nga fillimi i vitit 2015, kjo është anija e katërt me kapacitet mbi 16 mijë tonë, që vjen e ngarkohet në portin e Durrësit me klinker, prodhim vendi, thotë drejtoria e përgjithshme ekzekutive e Autoritetit Portual Durrës.
Info
Anija "Jian Qiang" mban flamur panamez. Është ndërtuar në vitin 1996 në kantierin detar japonez "Sanoyas Mizushima Works & Shipyard" të Kurashikit. Ka si menaxher dhe pronar kompaninë kineze "Cosco HK Shipping" në Hong Kong. Tonazhi me ngarkesë arrin 46 807 tonë, ka një gjatësi 187,3 metra dhe gjerësi 32,24 metra. Zhytja prej 6m mundëson hyrjen dhe bregëzimin në kalatën / molin nr. 11, me gjatësi 250 metra dhe thellësi zhytjeje 7.3-9.9 metra.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





