DURRËS, 11 shkurt 2015 –  Portieri i Teutës, Alfred Osmani u dënua, pasi sipas Etikës u shpall fajtor për komplotim në  influencimin e rezultatit të ndeshjes Flamurtari-Teuta e përfunduar 2-1. Për golin e pësuar nga Teuta në fund është shënjestruar vetëm portieri. Por Etika nuk shkon më tej për të sqaruar situatën në këtë ndeshje. Ndërsa kallëzim penal nuk ka bërë për Osmanin, pasi sipas Etikës për këtë ka nisur hetimet prokuroria e Vlorës. Me shumë shqetësim e ka përjetuar vendimin portieri i ekipit të Teutës, Alfred Osmani.

“Jam shumë i mërzitur nga vendimi që është dhënë. Në karrierën time 12-vjeçare, as nuk e kam menduar e jo më ta bëj një gjë të tillë. Kur them i mërzitur, kam parasysh lotët e nënës sime dhe shqetësimin e bashkëshortes shtatzënë” shprehet ai.

Osmani u ‘kryqëzua’ për ndeshjen me ekipin e Flamurtarit në Vlorë në javën e 19-të, pasi në golin e dytë të pësuar nga Shehaj, sjella e tij u cilësua si pasive duke shtyrë Komisionin e Etikës në FSHF që ta pezullonte për 6 muaj.

Për ndeshjen ka nisur hetimet edhe prokuroria e Vlorës, ndërsa deri tani nuk ka asgjë të dhënë, nëse ka pasur apo jo trukime dhe shkelje të ligjeve në fuqi për manipulim, pasi nga ana sportive Etika vendosi.