• Ekskluzive / Vështirësi në hyrje-daljet e mjeteve detare për në port dhe Gji
• Në fortunalin e 31 janarit 2015 bova me fenerin jeshil u këput dhe doli në tokë në molin e peshkimit, ndërsa bova me fenerin e kuq doli në bregun e Currilave
DURRËS, 11 shkurt 2015 – Moti i keq dhe deti i trazuar i këtyre ditëve ka dëmtuar dhe sinjalistikën detare të portit të Durrësit. Sipas specialistëve feneristë në komandën e Shërbimit Hidrografik Shqiptar (SHHSH) të Forcës Detare, fortunali i 31 janarit 2015 dëmtoi dy fenerët hyrës për në portin e Durrësit. Kështu bova me fenerin jeshil u këput dhe doli në tokë në molin e peshkimit, ndërsa bova me fenerin e kuq doli në bregun e Currilave. Zhvendosja e këtyre fenerëve ka krijuar vështirësi në hyrje-daljet e mjeteve të ndryshme detare për në port dhe Gjirin e Durrësit.
Kapiten Lulzim Hate, njëkohësisht dhe një nga pilotët e portit, shpjegon këto vështirësi, por dhe manovrat shtesë që po bëjnë pilotët për të bregëzuar anijet në molet e portit më të madh të vendit. Për të eliminuar pasojat dhe zëvendësimin me bova të reja, grupi i specialistëve feneristë filloi punën menjëherë mbas kësaj ngjarjeje. Pavarësisht kushteve atmosferike mjeshtrit feneristë Viktor Marku, Shkëlqim Driza, Klodian Mezja dhe Nebi Hoxha, nën drejtimin e shefit të sigurisë hidrolundrimore, lejtënant Andi Qevani, bënë të mundur tërheqjen e bovave të dëmtuara. Kështu bova jeshile u tërhoq me anijen hidrografike të drejtuar nga kapiten-lejtënant Julian Skoti dhe u vendos në sheshin ngjitur me molin nr. 3 të portit, ndërkohë që më 11 shkurt 2015 tërhiqet dhe bova e dëmtuar e dalë në afërsi të bregut Currila.
Grupi i teknikëve dhe specialistëve të hidrografisë po punon për të përgatitur dy bova të reja në ofiçinën e fenerëve, ndërsa po merren masa për të riparuar dhe dy bovat e dëmtuara. Fenerist Viktor Marku thotë se këto ditë do bëhet zëvendësimi i bovave, për të vënë në gatishmëri të plotë sinjalistikën detare të kanalit hyrës në portin e Durrësit.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”, kontribuoi Shefqet Kërcelli/





