11 shkurt 2015 –  Mediet italiane po japin detaje mbi një aksion të policisë së Torinos kundra një bande shqiptaro-rumune, që ishte e specializuar në shfrytëzimin e prostitucionit. Banda vepronte si një biznes i mirëfilltë. Ishin rreth 30 femra shqiptare, rumune, moldave e bjelloruse që shfrytëzoheshin nga banda.

Disa prej tyre ishin pronë e bandës, ndërsa të tjera punonin për hesap të vet, por u duhej të merrnin nga banda me qera deri 300 euro nata, sektorin e trotuarit ku prostituonin. Banda ishte mjaft e dhunshme sepse kishte kryer dhe vrasje.

Një vrasje kishte ndodhur në Itali, ndërsa po planifikoheshin edhe 2 vrasje të tjera, një në Londër, në Lagjen Soho dhe tjetra në Shqipëri.

Kapot shqiptarë nuk kishin ngurruar të përdornin edhe armët e zjarrit kundra rumunëve, disa prej të cilëve i kishin punësuar në rolin e "shërbyesve" të skllaveve të seksit, moldave e rumune. Ndaj prostitutave, veçanërisht atyre që ishin pronë e bandës ushtrohej dhunë psikologjike e fizike, pothuajse çdo ditë.

Banda kryesohej nga dy kapo, të cilët plotësonin njëri- tjetrin në menaxhimin e prostitucionit. Ata janë Marius Dinoshi, 33 vjeç dhe Ronald Tuka, 40 vjeç. Banda vepronte si një biznes tipik.

E vetmja femër e arrestuar ishte Valbona Mici, 43 vjeçe arkëtarja e bandës. Ajo mbante llogari të sakta për të ardhurat dhe shpenzimet që kryente banda.

/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/