11shkurt 2015 –  Të martën pasdite më datë 10 shkurt 2015, policia e Ferrarës po kontrollonte dokumentet e identifikimit të disa të huajve. Njëri prej tyre duke mos pasur dokumente identifikimi u dërgua në Kuesturë për hetime të mëtejshme.

Nga verifikimi i shenjave të gishtave rezultoi se personi në fjalë ishte Dashamir Biqiku, 37 vjeç. Dashamiri ishte dënuar me 13 vjet burg për shfrytëzim prostitucioni. Ai ishte kreu i një bande shqiptarësh të specializuar për shfrytëzim prostitucioni. Pas arrestimit, Biqiku u dërgua në burgun e Ferrarës.

Dashamiri, krahas këtij dënimi ka precedentë penalë për shkelje të ligjit mbi emigracionin (qëndrim klandestin në Itali) dhe precedentë penalë për drogë. Në mars 2007, Dashamiri u kap në një banesë në qytetin Bassano del Grappa me 6 kg heroinë. Në këtë rast, bashkë me të u arrestuan edhe Armand Kuqi, 23 vjeç dhe Suad Shala, 19 vjeç.

/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/