10 shkurt 2015 –  Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, e konsideruar me një profil të ulët mediatik, sapo ka hapur një llogari në rrjetin social më të madh Facebook. Dy fotot e para që ka postuar janë të dyja në vendin e punës, por njëra është pranë të birit disa muajsh Luisit. Kjo bën të kuptohet qartë, atë që ajo thotë në statusin e parë për natyrën e profilit.

“Miqtë e mi! Kjo është faqja ime personale. Kam vendosur, pas shumë mesazheve që marr çdo ditë në faqen e Ministrisë së Integrimit Evropian, të jem më pranë jush, duke komunikuar jo vetëm si Ministre, por mbi të gjitha si Klajda! Ju përshëndes!”, shkruan Klajda.

Klajda është në krye të Ministrisë së Integrimit që prej zgjedhjeve të qershorit 2013, para të cilave ajo ishte emëruar zv/ministre në këtë ministri, pas studimeve në Britani. Ky hap i rëndësishëm në karrierë u hodh pak kohë pas një hapi tjetër të rëndësishëm në jetën e saj, martesës. 

Pak muaj më parë, Klajda u bë nënë, duke e zgjeruar familjen e saj të re, por deri tani jeta private ka qenë gjithsesi e mbajtur deri diku larg mediave. Megjithatë, fundjavën e kaluar ajo ishte pjesë e emisionit “Jo vetëm modë” të Floriana Garos në Tv Klan, ku u shfaqën për herë të parë imazhe nga dasma e gati tre viteve më parë. Hapi i radhës është ky profil facebook-u ku Klajda do të komunikojë me njerëzit, jo si ministre, por si Klajda Gjosha për të ndarë më shumë prej jetës së saj private dhe dimensionit personal.