DURRËS, 10 shkurt 2015 – Këtë të martë, Forumi i Durrsakëve ka zhviluar mbledhjen e Asamblesë për të shpalosur platformën e re të Forumit. Siç janë shprehur dhe më parë, themeluesit e tij, ai u shfaq si një risi që përcjell dëshirat e qytetarëve durrsakë, pavarësisht bindjeve politike, përkatësisë fetare etj., i konceptuar me një mentalitet perëndimor dhe i perceptuar të kontribuojë në tablonë panoramike kulturore të qytetit.
Sekretarja e Përgjithshme Enkeleda Mullaliu Braculla u shpreh se:
" Forumi ofron për qytetarët Durrsakë dhe u jep mundësinë atyre që të shprehen për problematikat e qytetit dhe më gjerë, I krijuar dhe i ideuar, krahasimisht i përafërt me një TOWN HALL, ku secili qytetar durrsak, si ata që u larguan ndër vite, si pjesa e komunitetit që vazhdon të jetojë në Durrës, të jenë jo vetëm pjesë e kontributeve por dhe zgjidhjeve.
Në këtë kohë të shpejtësisë teknologjike është shumë e thjeshtë të mbledhësh rreth vetes, por është vështirë të përshtatesh drejt idesë. Ideja që ne kemi është sa më shumë Durrsakë të bashkuar për të mirën e përbashkët të të gjithëve dhe iu bëjmë thirrje të gjithë spektrit politik që interesat e Durrësit dhe qytetarëve durrsakë janë primarë. Në problematikat dhe zgjidhjet e tyre, zëri i qytetarit do jetë më përfaqësues se sa bindja personale, politike apo më gjerë. E parë në këtë aspekt, ne si forum mendojmë se jemi pika e referimit dhe e bashkëpunimit e të gjithë diferencave, përsa i përket mënyrës që kushdo percepton veprimtarinë në një komunitet dhe aq më tepër, në një komunitet të madh dhe të zgjeruar siç është Durrësi".
Gjithashtu të pranishëm ishin koordinatorja për Forumin në Durrës Adelina Haxhiu (e cila parashtroi aktivitetet) dhe Zv/Sekretari i Përgjithshëm i Forumit për Rininë Enio Doka. Eventin e përshëndeti përmes një video materiali dhe kryetari i Forumit z. Indrit Nina.





