10 shkurt 2015 –  Ministrit Tahiri reagon disa orë  pas hedhjes në erë me eksploziv të farmacisë së babait të tij në Tiranë. Në një status, në profilin e tij në facebook, ministri shkruan:  

“ Mirënjohje dhe falenderimet më të ngrohta për mesazhet e panumërta të solidaritetit që kanë ardhur dhe vazhdojnë të vijnë në telefonin tim apo të familjes sime.

Të gjithë atyre që kanë pasur mirësinë të më shkruajnë dhe të gjithë shqiptarëve që më kanë dhënë privilegjin t'u shërbej në këtë detyrë të vështirë, të cilët i ndiej dhe i shoh çdo ditë në krahun e ligjit dhe të Policisë së Shtetit u them sot, se do të vazhdoj t'jua shpërblej mbështetjen tuaj të pakursyer duke vazhduar të bëj detyrën ndaj jush.

Sigurisht që nuk është e lehtë të shohësh familjen tënde të sulmuar për shkak të detyrës që ti bën, por dua të më besoni se kjo e bën edhe më të fortë ndjenjën e kësaj detyre kaq me rëndësi për sigurinë dhe qetësinë e çdo familjeje apo individi që jeton në vendin tënd.

Kushdo qoftë urdhëruesi dhe përçuesi i mesazhit që përcjell ky akt terrorist ndaj familjes sime duhet ta dëgjojë sot, po kaq qartë e fort, mesazhin tim:

Gjithçka që është në fuqinë time ia kam vënë dhe do t'ia vë në dispozicion fitoreve të betejave të vazhdueshme me krimin e me njerëzit e krimit.

Asgjë dhe askush, me asnjë formë presioni apo terrori të çfarëdo natyre, nuk do të më ndalë në këtë rrugë të përcaktuar nga populli shqiptar në 23 qershor nga shumica parlamentare e këtij vendi dhe kryeministri e qeveria, ku kam kam nderin e përgjegjësinë të bëj pjesë.

Përkundrazi, lufta me krimin do të vazhdojë të përshkallëzohet sipas projektit tonë për ndërtimin e një rruge të re për Shqipërinë, përmes një shteti që nuk është më peng në duart e të fortëve që deri dje bënin ligjin dhe një policie që është rikthyer në krye të detyrës për t'u ngritur përditë në lartësinë e aspiratave të popullit shqiptar.

Faleminderit të gjithëve!”