10 shkurt 2015 –  Në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndodhën 3 shpërthime, njëri prej të cilëve ishte hedhur pranë banesës së nënës së kryeministrit, Aneta Ramës. Dy kallëpet e tritolit të gjetura në stacionin e autobusit në rrugën “Muhamet Gjollesha”, janë vendosur pranë pallatit ku jeton nëna e kryeministrit të vendit, Aneta Rama. Fatmirësisht, tragjedia në njerëz u shmang, pasi policia u njoftua nga një telefonatë anonime dhe bëri shpërthim të kontrolluar të lëndës eksplozive. 

  Ende nuk dihen autorët e kësaj tentative dhe objektivi që ata kanë pasur. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00 të këtij mëngjesi, dy orë pas shpërthimeve me tritol që ndodhen në kryeqytet, një në farmacinë e babait të ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahirit dhe i dyti në banesën e shefit të Krimeve të Rënda të Korçës, Alfred Numanit, njëherësh, ish-shefi i komisariatit Nr.3 në kryeqytet.