DURRËS, 9 shkurt 2015 – Pa u “ftohur” ende “hallva” e dorëheqjes së papritur të drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës (APD) Selim Belortaja, u prezantua zëvendësuesi i tij Gazmend Shalsi, ish-drejtor dhe administrator i kompanisë “La Petrolifera Italo-Albanese” në Vlorë. Të hënën, më 9 shkurt 2015, në një takim të zhvilluar në drejtori, kryetari i Këshillit Drejtues të APD-së Gentian Beqiri ka bërë të njohur vendimin për të pranuar dorëheqjen e ish-drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv Selim Belortaja dhe më pas ka paraqitur të riun, Gazmend Shalsi.
Shalsi tha:
“E vlerësoj si një sfidë personale drejtimin e portit të Durrësit. Unë kam punuar si në zyrë dhe në terren, dhe porti është një fushë të cilën e njoh, e ku me përkushtim do të jap kontributin tim. Ne do të punojmë së bashku për të çuar më tej arritjet e deritanishme në kushtet e zhvillimeve të reja ekonomike në Shqipëri”.
Paraardhësi Selim Belortaja nënvizoi vlerat e drejtorit të ri, veçanërisht në menaxhim dhe njohjet e tij në fushën e porteve. Më pas ai prezantoi e njëkohësisht vlerësoi punën e bashkëpunëtorëve të stafit drejtues, si një garanci tjetër në vijimësinë e punës.
Info
48 vjeç, i martuar dhe me dy vajza, Shalsi është diplomuar në degën e inxhinierisë mekanike. Ai ka punuar si në biznese private ashtu dhe në detyra të ndryshme shtetërore.
Më 1990-1998 ka punuar si inxhinier në ndërmarrje shtetërore dhe në aktivitete private. Më 1998-2001 u diplomua në Francë në degën e menaxhimit të ndërmarrjeve. Më 2001-2004 ka punuar në Ministrinë e Ekonomisë. Pas një veprimtarie private 3-vjeçare, nga viti 2007, ishte drejtor dhe administrator i kompanisë “La Petrolifera Italo-Albanese” në Vlorë.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”. Kontribuoi g. k./





