9 shkurt 2015 – Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter del në mbrojtje të futbollit afrikan pas episodeve të dhunshme që u regjistruan në gjysmëfinalen e Kupës së Kombeve mes Ganës dhe Guinesë Ekuatoriale. Për rreth 30 minuta, ndeshja e luajtur në Malabo u ndërpre dhe mediat e kritikuan ashpër vendin organizator por Blatter nuk është i këtij mendimi.
"Lajmi i mirë nuk është lajm, ndërsa i keqi përbën lajm. Mediat flasin vetëm për episodet negative por futbolli është një sport pozitiv dhe duhet ta lëmë të qetë. Unë nuk shikoj asnjë aspekt negativ të futbollit afrikan ashtu siç e paraqesin mediat. Ne po bëhemi skllevër të mediave që luajnë me opinionet e tyre".
Në vijim, shefi i FIFA-s kërkon t'u tregojë vendin mediave duke e adresuar punën e tyre në një tjetër drejtim.
"Mediat duhet të luajnë një rol kryesor por në të bazuar në nocionin e respektit dhe fair play. Sot në botë kur shikon gazetat apo televizionet, lexon vetëm për vrasjet". Fjalët e Blatter vijnë pak orë pas deklaratës së presidentit të Federatës Afrikane të Futbollit, Issa Hayatou, i cili sulmoi mediat perëndimore për qëndrimet ofensive ndaj organizatorëve.





