9 shkurt 2015 –  Në një “Elbasan Arena” të boshatisur ndeshja mes vendasve dhe Teutës fillon e qetë me një epërsi të lehte të Elbasanit. Janë pikërisht elbasanllinjtë që përpiqen të sulmojnë dhe kanë një rast në minutën e 8-të më sulmuesin kamerunas, Jonshua por topi i goditur prej tij përfundon jashtë. Vetëm pak minuta më vonë është sërish Elbasani që provon me Mustën por sërish topi del jashtë portës. Me kalimin e minutave, edhe Teuta përpiqet të reagojë, por pa rrezikuar seriozisht portën e Koçit. Në barazim 0-0 mbyllet pjesa e parë. Pjesa e dytë nis ashtu si e para me një ritëm të ulët dhe ndeshja luhet kryesisht ne mesfushë .

Teuta përpiqet të marrë frenat e lojës në dorëzim dhe mundohet të dalë përpara. Durrsakët kanë një mundësi me Kulin, por topi i goditur prej tij përfundon jashtë kuadratit. Ndeshja do të zhbllokohej vetëm në minutën e 77-të. Vendasit gjejnë golin e avantazhit me Eri Lamçjan që pasi shmang 2 mbrojtësa kundërshtarë godet dhe shënon duke kaluar Elbasanin në epërsi.

Pas golit të shënuar, elbasanasit kthehen në mbrojtje dhe administrojnë rezultatin deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit. Mbyllet gjithçka 1-0 dhe Elbasani provon shijen e fitores së parë në “Elbasan Arena” duke lënë kështu fundin e tabelës dhe duke u ngjitur në kuotën e 12 pikëve. Durrsakët rikthehen te humbja dhe vazhdojnë të mbeten në kuotën e 19 pikëve.