DURRËS, 7 shkurt 2015 –  Reshjet e dendura që ranë natën, e premte-e shtunë, 6-7 shkurt 2015, kanë fryrë së tepërmi lumin e Ishmit, duke shkaktuar përmbytje të fushave të komunës së Bubqit në rrethin e Krujës, por situata është normalizuar deri në orën 11 të paradites të datës 7 shkurt 2015. Prefekti i qarkut të Durrës-Krujës Rolant Xhelilaj dhe shefi i emergjencave në institucionin e Prefektit Artur Lekbello, teksa po bënin përnjohje (rikonjicion) në terren, i konfirmuan “Dyrrah”-ut nga Bubqi se pati disa përmbytje të lehta në fshatrat e Mallkuçit, Murqinës, Dervenit, por uji është tërhequr. 

Xhelilaj tha se pati dy-tre rreziqe edhe në urën e Shijakut nga lumi i Erzenit; te Mulliri i Bullgarit nga kanali i ujërave të larta. Shefi i ekzekutivit rajonal Xhelilaj përmendi se ujëmbledhësit e qarkut kanë nivele uji të kontrollueshme, ndërkohë që hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë duke u furnizuar me energji elektrike të vazhdueshme.

Kurse në qytetin e Durrësit, sikurse është bërë gjë e zakonshme, shirat e natës përmbytën shumë rrugë, por tashmë uji është larguar. Problem mbetet zona e Plazhit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/