6 shkurt 2015 – Në Elbasan hyjmë në fushë për tre pikët kështu shprehet drejtori teknik i Teutës Ilir Biturku i cili ka deklaruar se dueli i rradhës me Elbasanin do të jetë një përballje mjaft e vështirë me një ekip që nuk ka çfarë të humbasë ndërkohë që durrsakët duhet të jenë tepër të kujdesshëm dhe të marrin tre pikët:
“Ne kërkojmë tre pikët me Elbasanin dhe kemi punuar fort për ndeshjen e radhës. Situata në skuadër është shumë e mirë dhe po përgatitemi në të gjitha drejtimet me qëllim që të zhvillojmë një ndeshje të mirë në Elbasan dhe të marim maksimumin nga kjo përballje. Skuadra do të jetë e plotë, nuk do të ketë mungesa përveç Rizvanit. Stafi teknik dhe lojtarët janë të bindur se do të jetë një përballje e fortë, por kemi besim tëk forca e skuadrës sonë. Pas fitores me Vllazninë skuadra duket disi më e çliruar dhe gjithçka po shkon sikurse kemi parashikuar".
Biturku e konsideron të vështirë përballjen e radhës me Elbasanin, por ka besim se skuadra e tij do të kthehet me fitore në Durrës. Duke i bërë një analizë të tërthortë situatës në kampin durrsak, Biturku tha se gjithçka po shkon sipas parashikimeve dhe skuadra po kalon një moment shumë të mirë:
“Atmsofera në radhët e ekipit është e qetë dhe po punohet intesivisht për ndeshjen e radhës me Elbasanin. Elbasani është një skuadër me traditë, prandaj duhet respektuar për vlerat që ka si skuadër. Nuk duhet ta nënvlesojmë kundërshtarin, sepse ishte Elbasani që i shkaktoi humbjen e fundit në shtëpi Teutës. Pavarësisht pozicionimit, duhet të kemi kujdes dhe të mos i nenvlesojmë, sepse mund të përballemi me ndonjë situatë të pakëndshme. Duhet të jemi vigjilent në të gjitha drejtimet përgjatë gjithë lojës dhe të zbatohen me përpikëmëri të gjitha detyrat që do ti caktojmë lojtarëve. Nuk është e lehtë të përballesh me Elbasanin në transfertë, pasi kundërshtari do të luajë pa komplekse sepse nuk ka cfarë të humbasë. Ndërkohë ne duhet të përsërisim suksesin e fundit që arritëm në shtëpi me Vllazninë. Personalisht e konsideroj përballje shumë të vështiirë, por kam besim se do të kthehemi në shtëpi me tre pikë. Në do të futemi në fushë vetëm për ta fituar ndeshjen", përfundoi Biturku.





