5 shkurt 2015 – Projektligji për sektorin e energjisë ishte dje objekt debatesh mes deputetëve të Komisionit parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese dhe qeverisë. Deputetët e djathtë në Kuvend akuzuan qeverinë se po zbaton dy standarde për borxhet ndaj OSSHE-së, pasi po fut në burg qytetarët, ndërsa vetë i ka borxhe kompanive të hidrocentraleve. Deputetët gjetën rastin të kryqëzojnë ministrin e Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, duke kërkuar që të futet në burg vetë qeveria për borxhet ndaj kompanive dhe mos t’u konfiskohet shtëpia qytetarëve. Deputeti i PDIU, Dashamir Tahiri, ngriti shqetësimin për arrestimin e qytetarëve, që janë debitorë të energjisë. “Ju folët shumë shpejt, por unë e kam përpara projektligjin dhe do ta lexoj. Po ju kur keni HEC-et që nuk i keni paguar kaq kohë, a kanë të drejtë t’ju fusin ata në burg ju? Reciproke është. Një qytetar i thjeshtë vdiq në burg…”, u shpreh Tahiri. Nuk vonoi përgjigjja e menjëhershme e ministrit Gjiknuri.
“Nuk dënohet njeri dhe më vjen keq se është thjesht të spekulosh kështu, mirëpo nuk është dënuar njeri. Borxhliu nuk dënohet, është poçes civil. Edhe kjo masë vlen për ato vlera të mëdha të akumuluara për të mbrojtur konsumatorin. Sepse ndodh fenomeni rëndom në Shqipëri dhe këtë e dimë, që ngarkohen banesa të tëra me miliona lekë, gjoja ndërron pastaj ja kalon vëllait dhe thotë nuk kam më borxhe”, u shpreh Gjiknuri. Qeveria do të ashpërsojë masat ndaj debitorëve të energjisë elektrike. Sipas projekt-ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, tani ai që ka një detyrim prej 150 mijë lekësh ndaj OSHEE-së duhet që të lerë peng shtëpinë, ndërsa bizneseve do t’i sekuestrohet pasuria në momentin që detyrimi është mbi kufirin e 2 milion lekëve. Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, tha përpara deputetëve në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese se ligji i ri për energjinë elektrike synon t’i japë fund abuzimeve që bëheshin deri më sot.
Liberalizimi i tregut të energjisë
Ligji i ri për sektorin energjetik synon liberalizim të plotë të tregut, por kjo iniciativë u kundërshtua nga deputeti PD-së, Genc Ruli, i cili deklaroi se liberalizimi i plotë i tregut është i pamundur në një vend si Shqipëria. "Ligji për sektorin e energjisë është parakushti për reformat. Ky sektor duhet të funksionojë në përputhje të plotë me parimet e një tregu të lirë, të liberalizuar, konkurrent, të aftë për të siguruar eficencë të tij dhe kthimin e një burimi të ardhurash për buxhetin e shtetit. Në ndryshim nga legjislacioni ekzistues se përcaktonte se aktiviteti i shpërndarjes kryhej nga vetëm një operator, me anë të këtij projektligji synohet të jepet mundësia për kryerjen e këtij aktiviteti nga disa subjekte nëse një gjë e tillë do të rezultonte efektive nga pikëpamja ekonomike dhe energjetike", tha Gjiknuri. Ish-ministri i Energjisë, Ruli, tha se liberalizimi i tregut të energjisë është i pamundur në Shqipëri.
"Ka nevojë të liberalizohet ndonëse deklarime aq optimiste dhe entuziaste, një treg plotësisht të liberalizuar të energjisë ne as mundemi dhe as kemi takat ta bëjmë. Dhe Europa prandaj ka paketën një, paketën dy, paketën tre, sepse në fakt tregu më i liberalizuar në Europë vazhdon të mbetet tregu energjetik", tha Genc Ruli.
/Lajme "Sot"/





