5 shkurt 2015 – Një javë thuajse e tëra e dyshuar për trukim. Bëhet fjalë për javën e 19-të të Kategorisë Superiore, nga e cila për momentin nuk është zyrtarisht nën hetim vetëm takimi Tirana-Apolonia (2-0). Pas Flamurtari-Teuta (2-1), Laçi-Partizani (1-1) dhe VllazniaKukësi (1-2), dje Komisioni i Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka marrë vendim që të hetojë me detaje edhe ndeshjen Elbasani-Skënderbeu (1-4).
Në njoftimin e dhënë nga FSHF nuk bëhen të ditura detaje në lidhje me atë çka do të bëjë më konkretisht komisioni për këtë ndeshje, por vlen të theksohet se të paktën është qartësuar zyrtarisht se edhe kjo ndeshje do të përfshihet në hetim dhe do të analizohet në mbledhjen e radhës së Etikës. Duhet thënë se Etika u mblodh në vijim të marrjes së dëshmive për dy ndeshjet e tjera:
Laçi-Partizani dhe Vllaznia-Kukësi, duke qenë se të hënën u pyetën zyrtarët e takimit Flamurtari-Teuta. Sipas informacioneve, dje duhej të paraqiteshin para Etikës drejtues të klubit të Laçit dhe Vllaznisë si dhe zyrtarët e këtyre ndeshjeve. Bëhej fjalë për arbitrat Enea Jorgji e Bardhyl Pashaji si dhe për vëzhguesit Sokol Jareci e Sazan Velçani. Por për arsye pune, si këta dhe përfaqësuesit e klubeve nuk janë paraqitur para komisionit.
“Për shkak të mosparaqitjes së dëshmitarëve, për shkaqe pune, Komisioni i Etikës vendosi që të rimblidhet përsëri të hënën, më 9 shkurt, në orën 14:00.





