5 shkurt 2015 – Hysen Pulaku ka rezultuar pozitiv edhe në testin B të antidopingut. Sportisti shqiptar ka përdorur substanca të ndaluara dhe kjo tashmë është konfirmuar. Pas Begaj edhe Pulaku ka qenë nën efektin e dopingut gjatë garës ku u shpall nënkampion europe. Lajmi konfirmohet nga “Top Channel” që citon se sipas dokumentit që mban firmën e doktor Schenzer, klinika e të cilit është e akredituar nga VADA, sportisti shqiptar Hysen Pulaku del se ka përdorur stanozolol, subtancë me të cilën ai u kap edhe para Lojrave Olimpike “Londër 2012”.
E njëjta substancë doli edhe në dy testet e nënkampiones Romela Begaj dhe në testin A të kampionit Daniel Godelli. Ky dokument ka ardhur në adresë të Federatës sonë të Peshëngritjes e cila bën dhe rolin e të paditurit që me datë 14 janar të këtij viti, pra 1 ditë pasi është bërë dhe testi B për sportistin Pulaku.
Madje në e-mail-in e dërguar me datë 14 janar, këshilltarja ligjore e Federatës Botërore të Peshëngritjes i kërkon sportistit shqiptar të informojë këtë Fedaratë nëse do të pranojë si përfundimtar testin B apo do të vazhdojë me panelin dëgjimor nga i cili do të dalë dhe vendimi përfundimtar. Ndërkohë Presidenti Elez Gjoza bënte të paditurin dy ditë më parë në prononcimin e tij lidhur me këto ngjarje.





