“Shqiptarët janë raca më e bukur në Evropë”. Ky është konkluzioni i një shkrimi në revistën prestigjioze “New York Times”, publikuar më 21 maj të vitit 1911, që është sjellë në vëmendje vetëm para pak ditësh. Bëhet fjalë për më shumë se një shekull më parë, kohë në të cilën tiparet dhe virtytet e shqiptarëve kanë rënë në sy të gjithë botës.

4 shkurt 2015 –  Ndër të tjera, në artikull përshkruhen edhe veçoritë e popullit shqiptar: “Fizikisht, shqiptarët janë raca më e bukur në Evropë. Gratë shqiptare janë shumë të bukura, me flokë të errëta dhe ndonjëherë sytë e tyre janë gri. Ecja e tyre është një kënaqësi për t’u parë, e kështu janë edhe vallet e tyre. Herën e parë që pashë vallen shqiptare, më dha një kënaqësi të veçantë”, shkruhej në “New York Times”, më shumë se një shekull më parë.

Artikulli vlerëson edhe kërcimet tradicionale shqiptare, por nuk lë pas as bukurinë fizike dhe inteligjencën e femrave shqiptare:

“Lëvizjet dhe vallet e tyre janë elegancë dhe tregojnë forcë. Po ashtu, ato janë shumë të bukura dhe shumë të talentuara. Ata janë si skocezët në shekullin XVII. Me këtë, kuptohet që janë raca më e mirë nga inteligjenca dhe fiziku në Ballkan. Nëse shkoni në Kostandinopojë, ju do të gjeni se njerëzit më të mirë, jo vetëm ushtarët, por edhe zyrtarët janë shqiptarë”,- thuhet në shkrimin e prestigjiozes amerikane.

Lajmi i gazetës është shpërndarë nga shumë shqiptarë në rrjetet sociale, pa e fshehur krenarinë. Një ndër të përfshirët është edhe moderatorja e njohur, Albana Osmani, e cila në profilin e saj në Instagram, ka postuar së fundi foton e kopertinës së revistës "Teuta", protagoniste e së cilës është modelja e mirënjohur shqiptare, Emina Çunmulaj:

"Të gjitha racat janë të bukura, por faleminderit "New York Times…",- ka shkruar Albana në profilin e saj.