• Materialet lëshojnë acide, që ndikon tek artefaktet, ndaj duhet që vitrinat të zëvendësohen me materiale qelqi

DURRËS, 3 shkurt 2015 –  Muzeu Arkeologjik të Durrësit, i cili është në prag të hapjes, i ka objektet në vitrina të rrezikuara për shkak të pluhurit nga jashtë, alarmin e dha në Tiranë, më 2 shkurt 2015, Rosh Paje (Roch Payet), drejtor i studimeve të departamentit të restauruesve në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë (Institut National du Patrimoine – INP) Paris, një shkollë e lartë në varësi të Ministrisë së Kulturës dhe Komunikimit të Francës.

Në periudhën 2-14 shkurt 2015, Ministria e Kulturës e Shqipërisë, Instituti Kombëtar Francez për Trashëgiminë dhe Ambasada Franceze po organizojnë tryeza të rrumbullakëta mbi çështje të restaurimit në Tiranë, Shkodër, Berat, njofton Ministria e Kulturës. Restaurues dhe profesionistë të sistemit të trashëgimisë kulturore do të kenë mundësinë të ndjekin ligjërime të ekspertit Rosh Paje në temat: “Restaurimi në Shqipëri, zbulime dhe rekomandime”, “Konservimi parandalues” dhe “Puna diagnostikuese dhe kushtet mjedisore të ruajtjes së ikonave”. 

Në tryezën e 2 shkurtit 2015, në Tiranë, eksperti Rosh Paje, që vizitoi, më 2 tetor 2014 Muzeun Arkeologjik të qytetit të Durrësit, ka përmendur dhe këtë institucion (http://www.durreslajm.com/kultura/durr%C3%ABs-n%C3%AB-arkeologjik-restauruesi-m%C3%AB-i-mir%C3%AB-francez). Ndër të tjera, gjatë vizitës në Durrës, u theksua se janë të nevojshme bashkëpunimet, trajnimet e përbashkëta dhe shkëmbimet e përvojave për rritjen e nivelit profesional të specialistëve, të cilët merren drejtpërdrejt me objektet dhe konservimin paraprak të tyre; krijimi, brenda mundësive, i klimës dhe temperaturës së përshtatshme në mjediset e muzeut dhe monitorimi konstant me pajisje adekuate. Në pamundësi qëndrimi, objektet e vitrinave duhet të kenë mbështetëse për të shmangur rrëzimin dhe dëmtimin e mundshëm të tyre.

Muzeu Arkeologjik të Durrësit, i cili është në prag të hapjes, i ka objektet në vitrina të rrezikuara për shkak të pluhurit nga jashtë, tha eksperti francez, më 2 shkurt 2015, në Tiranë. Ajri atje është i pasur me kripëra, ka lagështi, që kjo ndihmon në korrozionin e metaleve. Materialet, ku janë vendosur këto objekte në vitrina, është i papërshtatshëm. Materialet e vitrinave lëshojnë acide, që ndikon tek artefaktet, ndaj duhet që vitrinat të zëvendësohen me materiale qelqi. 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/