3 shkurt 2015 – Tashmë që merkatoja është mbyllur zyrtarisht, ekipet e kontinentit bëjnë llogaritë e një fushate që zgjati pothuajse 1 muaj. Shumë klube kanë ndryshuar fytyrë, ndërsa të tjerë kanë preferuar të modifikojnë pak detaje në organikën e tyre. Në radhën e parë qëndron Premier League me disa nga transferimet më të shtrenjta, ndërsa Primera Division zgjodhi një politikë të tërhequr duke preferuar goditje me profil të ulët. Në vendin e parë qëndron transferimi i sulmuesit Wilfried Bony nga Swansea te Manchester City për rreth 37 milionë Euro. Bomberi nga Bregu i Fildishtë qëndronte në majën e listës së Pellegrinit dhe klubi i presidentit Al Mubarak vendosi të paguante klauzolën e largimit të afrikanit pa u menduar dy herë.
Shkalla e dytë e podiumit shkon për Chelsean që zgjodhi kolumbianin Cuadrado për të forcuar repartin e sulmit. 34 milionë Euro dhe Mouhamed Salah në huazim për 18 muaj te Fiorentina mjaftuan që Jose Mourinho të shkëpuste nga Serie A një tjetër talent. Por për të nënshkruar me Cuadradon, Blutë e Londrës u detyruan për të ndezur dritën jeshile të gjermanit Andre Schurrle te Wolfsburg për 29 milionë Euro, çka do të thotë se Abramovich nuk u detyrua të bënte një sakrificë të madhe financiare. Rikthimi i Schurrles në Bundesliga është edhe surpriza më e madhe e dritares së merkatos dimërore sepse si rrallëherë një klub gjerman bën një lëvizje të tillë në aspektin ekonomik. Në vendin e katërt renditet Valencia që për të marrë Enzo Perez nga Benfica derdhi në arkën e portugezëve rreth 27 milionë Euro. Spanjollët parakaluan konkurrencën e Manchester United për mesfushorin pasi gjetën gjuhën e përbashkët me klubin nga Lisbona falë ofertës më të lartë. Vendi i pestë. Gabriel Paulista nga Villarreal te Arsenal për 19 milionë. Mbrojtësi 24-vjeçar u vëzhgua për një kohë të gjatë nga Arsene Wenger që arriti të finalizonte operacionin delikat për shkak të konkurrencës së madhe nga disa klube evropiane. Në vendin e gjashtë shfaqet sërish Benfica me një tjetër shitje. Mesa duket, luzitanët kanë vendosur të mbushin sa më shumë arkën sepse një tjetër i larguar është sulmuesi Bernardo Silva që firmosi për skuadrën e Monaco për 16 mln Euro.
Vetëm vendi i shtatë për Realin e Madridit. Ancelotti duket i kënaqur me lojtarët që ka në dispozicion por kjo nuk e ndali presidentin Perez të bënte një goditje në perspektivë. Mesfushori 21-vjeçar Lucas Silva u transferua në "Bernabeu" për 15 mln Euro.
Seydou Doumbia është një tjetër lojtar i Bregut të Fildishtë që renditet mes 10 të parëve. Roma derdhi në arkën e CSKA-së diçka më pak se 15 mln Euro për të plotësuar boshllëkun e lënë nga largimi i Mattia Destros. Në shkallën e parafundit renditet mbrojtësi Ryan Bertrand që për 13 mln Euro u transferua nga Chelsea te Southampton, ndërsa ish sulmuesi i Sampdorias, Manolo Gabbiadini zgjodhi fanellën e Napolit që pagoi rreth 12 milionë Euro në llogarinë e ekipit të presidentit Ferrero.





